FIFA kundërshton IFAB-in për rastin e Embolos: Vendimi i VAR-it riktheu drejtësinë!
FIFA ka reaguar ndaj sqarimeve të fundit të IFAB-it (International Football Association Board), organit që përcakton rregullat e futbollit, lidhur me përdorimin e VAR-it në rastet e gabimit të identifikimit të lojtarëve.
Në një deklaratë për mediat, një zëdhënës i FIFA-s tha se organizata ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me IFAB-in dhe se interpretimi i aplikuar gjatë Kupës së Botës është konsideruar i vlefshëm.
“Ne kemi marrë parasysh komentet e IFAB-it. Kemi qenë në komunikim me ta gjatë gjithë kohës dhe na kanë konfirmuar se ky interpretim është i pranueshëm, është pritur pozitivisht dhe do të jetë pjesë e diskutimeve për rishikimin e protokollit të VAR-it, siç u diskutua edhe në mbledhjen e fundit vjetore”, deklaroi zëdhënësi i FIFA-s.
Debati lidhet me incidentin e ndeshjes Argjentinë–Zvicër në çerekfinalet e Kupës së Botës, ku Breel Embolo u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të VAR-it. Sipas IFAB-it, ai vendim ishte rezultat i një interpretimi të gabuar të rregullores, pasi protokolli për gabimin e identifikimit duhet të zbatohet vetëm kur arbitri ndëshkon gabimisht lojtarin e gabuar për një faull të kryer nga një tjetër futbollist, dhe jo në rastet e simulimit.
Megjithatë, FIFA këmbëngul se interpretimi i përdorur gjatë Botërorit ka qenë i njëjtë në të gjitha rastet. Sipas saj, pati dy situata ku një lojtar u identifikua gabimisht si autor i një faulli për karton të verdhë dhe VAR-i ndërhyri për të korrigjuar gabimin faktik, i cili ishte shkaktuar nga simulimi i kundërshtarit.
“Simulimi në vetvete nuk mund të rishikohet nga VAR-i dhe nuk duhet të çojë në ndëshkimin disiplinor të një kundërshtari, pasi kjo mund të sjellë pasoja të mëtejshme, si karton i kuq për shkak të dy të verdhave ose pezullim për grumbullim kartonësh. Nuk besojmë se ka pasur gabim nga arbitri apo VAR-i dhe mendojmë se vendimi shërbeu për të rikthyer drejtësinë në fushë”, theksoi FIFA.
KOHA JONË SONDAZH

