FIFA mendojë të zgjerojë Botërorin me 66 Kombëtare, shans i artë për Shqipërinë më 2030
Ndërsa debati për zgjerimin e Kupës së Botës në 48 skuadra ende nuk është shuar plotësisht, në prapaskenë po diskutohet një ndryshim edhe më ambicioz për edicionin e vitit 2030. Sipas raportimeve të medias spanjolle AS, po shqyrtohet mundësia që turneu të zhvillohet me plot 66 kombëtare pjesëmarrëse.
Edicioni i vitit 2030 do të ketë një organizim të veçantë dhe simbolik, pasi do të mbahet nga Spanja, Maroku dhe Portugalia, ndërsa disa ndeshje hapëse janë planifikuar në Argjentina, Uruguai dhe Paraguai, në kuadër të 100-vjetorit të Botërorit të parë.
Sipas burimeve të cituara, ideja për rritjen e numrit të finalistëve ishte diskutuar fillimisht disa muaj më parë pas një propozimi të ardhur nga CONMEBOL. Megjithëse fillimisht u konsiderua si një skenar i largët, raportohet se projekti ka fituar më shumë mbështetje dhe po analizohet seriozisht nga drejtuesit e futbollit botëror.
Presidenti i FIFA, Gianni Infantino, thuhet se e sheh këtë format si një mundësi për ta kthyer Botërorin në një festë globale edhe më gjithëpërfshirëse, veçanërisht për ato vende që historikisht nuk kanë arritur të sigurojnë pjesëmarrjen në fazën finale.
Megjithatë, çdo vendim zyrtar për ndryshime të mundshme nuk pritet të bëhet publik përpara finales së Botërorit 2026 më 19 korrik, moment kur FIFA mund të japë sinjale më konkrete mbi të ardhmen e kompeticionit më të rëndësishëm të futbollit botëror.
KOHA JONË SONDAZH

