FIFA sqaron anulimin e golit të Kroacisë ndaj Portugalisë: Vendimi u bazua në teknologjinë e topit inteligjent!
FIFA ka dhënë një sqarim zyrtar lidhur me anulimin e golit të Kroacisë në minutat e fundit të sfidës ndaj Portugalisë, në fazën e 1/16-ave të Kupës së Botës 2026, duke konfirmuar se vendimi u mor mbi bazën e të dhënave të siguruara nga teknologjia e topit inteligjent.
Sipas organit më të lartë të futbollit botëror, sensorët e integruar në top regjistruan një prekje shumë të lehtë të sulmuesit kroat Igor Matanović përpara se topi të mbërrinte te shoku i tij. Pikërisht kjo prekje ndryshoi momentin e referencës për pozicionin jashtë loje, duke bërë që arbitri, me ndihmën e sistemit VAR, ta anulonte golin në përputhje me rregullat e lojës.
FIFA theksoi se teknologjia e topit inteligjent është e aftë të zbulojë çdo kontakt me topin, edhe në rastet kur prekja është pothuajse e padukshme për syrin e njeriut. Këto të dhëna paraqiten gjatë transmetimit televiziv përmes një grafiku karakteristik, të ngjashëm me rrahjet e zemrës, i cili ndihmoi arbitrat e VAR-it të zgjidhnin një nga episodet më të diskutueshme të këtij Botërori.
Anulimi i golit shkaktoi debat të madh pas përfundimit të takimit, të cilin Portugalia e fitoi me rezultatin 2-1, duke siguruar kualifikimin në fazën e 1/8-ave. Nga ana tjetër, Kroacia u eliminua nga turneu.
Trajneri i Kroacisë, Zlatko Dalić, e cilësoi vendimin si tepër të ashpër, megjithatë FIFA këmbënguli se përdorimi i teknologjisë së topit inteligjent dhe sistemit gjysmë të automatizuar për pozicionin jashtë loje garantoi korrektësinë e vendimit të arbitrave.
KOHA JONË SONDAZH

