Finalja e ”Conference League”, Veliaj: S’ka pasur asnjëherë rrezik që të shkonte në Athinë
Kryetari i Bashkisë së Tiranes, Erion Veliaj, hodhi poshtë zërat se finalja e ”Conference League” mund të ishte zhvendosur në Athinë, për shkak të debateve me Federatën Shqiptare të Futbollit. Gjatë intervistës në ”Top Albania Radio”, Veliaj theksoi se nuk ka pasur asnjëherë një rrezik të tillë.
“Unë do i qëndroj gjithmonë disa parimeve për të pasur transparencë edhe në futboll, siç kemi në shumë fusha të tjera. Këtë s’e luan topi.
Jo vetëm që nuk kemi pasur asnjëherë rrezik që finalja të shkojë në Athinë, por them se më vjen keq që një pjesë e jona, gëzohet kur ka lajme të tilla të rreme dhe i promovon. Pashë edhe kolegë tuaj që flisnin për mediat greke dhe e pomponin një gjë të rreme.
Ky është një moment që, po nuk folëm mirë për njëri-tjetrin, si do flasë mirë bota për ne? Është koha për të treguar anën tonë më të mirë dhe pastaj, mbasi mbaron finalja, mund t’i kthehemi debateve, siç na duhet të kemi debate për disa tema. Po kjo është një kohë për të punuar bashkë dhe për të nderuar Tiranën”- tha Erion Veliaj.