Fisnik Asllani gjithnjë e më pranë Dortmundit, vijojnë negociatat

E ardhmja e Fisnik Asllani mund të jetë larg Hoffenheim. Sipas raportimeve të mediave gjermane, Borussia Dortmund vazhdon të ndjekë me interes sulmuesin kosovar dhe së fundmi ka zhvilluar kontakte të reja me përfaqësuesit e tij në lidhje me një transferim të mundshëm gjatë merkatos së verës.

Raportohet se drejtuesit e Dortmundit kanë konfirmuar interesimin e tyre për 23-vjeçarin, por çdo lëvizje konkrete do të varet nga largimet që mund të ndodhin në repartin ofensiv të skuadrës. Vetë Asllani thuhet se është i hapur ndaj mundësisë për t’iu bashkuar verdhezinjve, një transferim që do të përfaqësonte një hap të rëndësishëm në karrierën e tij.

Borussia Dortmund po e sheh kosovarin si një alternativë të mundshme në rast largimi të Serhou Guirassy ose Karim Adeyemi, dy futbollistë që vazhdojnë të lidhen me transferime të mundshme në klube të tjera evropiane.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në garë për shërbimet e Asllanit është përmendur edhe RB Leipzig. Sipas raportimeve, Hoffenheim është i gatshëm të dëgjojë oferta për sulmuesin, ndërsa çmimi i kartonit të tij varion mes 25 dhe 30 milionë eurove, në varësi të klubit të interesuar. Shifra më e lartë thuhet se aplikohet për skuadrat që kanë marrë pjesë në UEFA Champions League gjatë tre sezoneve të fundit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Asllani vjen pas një sezoni shumë pozitiv me Hoffenheimin, ku regjistroi 11 gola dhe 10 asistime në 35 paraqitje në të gjitha kompeticionet, duke konfirmuar potencialin e tij si një nga sulmuesit më premtues të futbollit kosovar.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?