Fitore në debutim, Veselinovic për sfidën kundër Teutës: S’jemi Real Madrid, por te Partizani duhet ambicie
Trajneri i Aleksandar Veselinovic, do të bëjë debutimin në stolin e Partizanit, mbrëmjen e kësaj të shtune, ndaj Teutës. Tekniku i ri i të kuqve, do të kërkojë triumfin në sfidën debutuese, për ta nisur me këmbën e mbarë. Në konferencën për shtyp, Veselinovic deklaroi se ka krijuar një ide më të qartë për ekipin, ndërsa zbuloi se disa lojtarë kanë probleme.
“Fillimisht dëshiroj të falënderoj publikisht të gjithë lojtarët për përkushtimin dhe impenjimin që kanë treguar përgjatë këtyre ditëve. Në këto 3 ditë që kemi punuar, kam marrë mjaftueshëm informacion më shumë se në ditën e parë të stërvitjes. Tashmë kam idetë e mia si do të vijojmë të punojmë në vazhdim.
Kemi disa lojtarë me probleme, por mendoj se kjo situatë vjen si pasojë e impenjimit të skuadrës në kupat e Evropës. Pas ndeshjes me Teutën do të kemi 10 ditë në dispozicion për të vlerësuar gjendjen e lojtarëve nëpërmjet një raporti të detajuar. Në këtë moment që flasim kemi disa lojtarë me probleme.
Normalisht që do të kemi disa ndryshime pasi e citova edhe pak më parë që kemi disa lojtarë të cilët kanë shfaqur probleme. Gjithashtu Maguette nuk është më në skuadër dhe ai lojtar ishte shumë i rëndësishëm. Do të na duhet të mendojmë zgjidhje të tjera për pozicionin e lënë bosh nga Maguette”.
Veselinovic theksoi se Partizani është klub i madh dhe duhet të ketë ambicie gjithmonë për fitore, ndonëse theksoi se nuk janë Real Madrid që të triumfojnë në çdo ndeshje. “Ne jemi Partizani dhe unë tashmë jam pjesë e Partizanit që është një klub i madh. Si një klub i tillë të gjithë presin nga Partizani të fitoj çdo ndeshje. Nuk jemi Real Madridi të fitojmë çdo ndeshje , por ne duhet të kemi ambicie për të fituar çdo herë. Për momentin ne duhet të kemi respekt për kundërshtarin. Duhet të kemi respekt për të gjitha skuadra e kampionatit dhe trajnerët e tyre dhe lojtarët, të cilët punojnë dhe shpenzojnë energjitë e tyre çdo ditë”, deklaroi Veselinovic.