Fitorja ndaj Bodos një pikë nisje, Spalletti ka dy “armë” më shumë te Juvja
Fitorja e arritur në Bodo i jep Juventusit shumë më tepër sesa tre pikë, megjithëse ato janë jashtëzakonisht të rëndësishme për një renditje të Champions League deri tani tepër të varfër. Suksesi i vuajtur 3-2 ndaj norvegjezëve u mundëson bardhezinjve të hedhin një hap të vogël drejt playoff-it, por njëkohësisht mund të shërbejë si pikënisja e rilindjes që tifozët po e presin me padurim.
Ajo që dha shpresë ishte sidomos pjesa e dytë. Në të parën, rastet lindën kryesisht nga shpërthime individuale,veçanërisht nga Conceicao, ndërsa pas pushimit u panë copëza të një loje më të organizuar, aksione të ndërtuara me logjikë dhe frymë grupi, në lartësinë e emrit dhe ambicieve të klubit. Hyrja e Yildiz ndryshoi dukshëm ritmin, por në fakt ishte ekipi i gjithi që bëri klikimin e duhur mendor, duke marrë vendime më të guximshme e më pak të lexueshme.
Koopmeiners konfirmoi se roli i “jolly” në të majtë i jep një dimension të ri fazës së ndërtimit të lojës; Miretti tregoi se është gati për një rol qendror; ndërkohë gjithë vëmendja u përqendrua te autorët e golave në mbrëmjen e acartë norvegjeze: Openda dhe David, më në fund në shënjestër.
Belgu realizoi golin e tij të parë me fanellën bardhezi, ndërsa kanadezi u zgjua nga një letargji që zgjaste prej javës së parë të kampionatit. Ende është herët për të folur për zhbllokim të plotë, por ky mbetet urimi i Spallettit dhe i gjithë tifozerisë, që përveç magjive të Yildiz dhe Conceicao ka nevojë edhe për efektivitetin e qendërsulmuesve.
Ndeshjet e radhës në shtëpi kundër Cagliarit dhe Udineses (në Kupën e Italisë) duken si mundësi ideale për të shtuar vrullin përpara sfidës së shumëpritur me Napolin më 7 dhjetor, kur Spalletti do të rikthehet në “Maradona” për herë të parë si kundërshtar.
KOHA JONË SONDAZH

