Flamurtari drejt KAS, “zyrtarët e FSHF i prishën imazhin klubit”
Kombëtarja Shqiptare pret tre pikë nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Losanë, pas animimit të ndeshjes me Serbinë. Por një klub futbolli shqiptar, Flamurtari mund t’i drejtohet të njëjtës gjykatë, kundër FSHF-së. Flamurtari kundërshton vendimin e Komisionit të Etikës që pezulloi për 6 muaj portierin Ilion Lika. Administratori i klubit vlonjat, Sinan Idrizi, u shpreh se do t’i drejtohet mbi këtë çështje Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv. Ata i kërkojnë KAS heqjen e pezullimit për portierin e Flamurtarit, Lika, si dhe dëmshpërblimin e klubit nga ana e FSHF-së për shantazh, prishje e imazhit të Klubit të Futbollit Flamurtari, si dhe shpërdorim detyre nga zyrtarët e institucionit më të lartë të futbollit në Shqipëri. – “Do ta ndjek këtë çështje kudo, do ta çoj deri në fund. Nuk kam aspak besim tek organet e FSHF-së, madje nuk kam as përse ta apeloj vendimin. Nuk merrem më me FSHF, pasi është FSHF dhe zyrtarët e saj ata që po punojnë me të gjitha mënyrat për të na prishur imazhin dhe për të na goditur,” – pretendojnë zyrtarët e Flamurtarit. Në fakt Ilion Lika është dënuar nga Komisioni i Etikës, për një ndeshje ku pretendohej se ai nuk ka luajtur fare. Zhurma e trukimit të ndeshjeve në kampionatin shqiptar preku shumë ekipe, ndaj edhe do të ishte më mirë që Komisioni i Etikës, më mirë të mos kishte kryer asnjë hetim, pasi polemikat vazhdojnë, sikurse zgjidhje nuk ka.
KOHA JONË SONDAZH

