Flamurtari shtang Skënderbeun, Starova “humb durimin” me Partizanin
Nga Aranit Muraçi
Me ndeshjet e javës së 18-të në Kategorinë Superiore, që u zhvilluan pasditen e sotme, mbyllet edhe viti kalendari i futbollit në Shqipëri. Flamurtari thyen Skënderbeun në Vlorë, 3-1, megjithatë kampionët në fuqi shkojnë me pushime si kampionë dimri. Kjo falë humbjes së rivalit të tyre, Partizanit, 0-1 në Tiranë. Fitore e rëndësishme për Tiranën në Kukës, apo e Laçit ndaj Tërbunit mbi objektivat e tyre për një vend në Europë, sikurse edhe e Vllaznisë për mbijetesë. Por dy ekipet që u ngjitën këtë vit, Tërbuni dhe Bylis, me humbjet, vështirë se do të përballojnë valën e mbijetesës në pjesën e dytë të garës.
Skënderbeu, e humbur në Vlorë
Viti 2015 mbyllet si mos më keq për Skënderbeun, që bie në Vlorë, përballë Flamurtarit. Bregdetarët triumfuan 3-1 gjatë një 90 minutëshi të interpretuar në perfeksion dhe të frymëzuar nga mesfushori Bedri Greca, i cili ishte protagonist te të tre golat e shënuar nga kuqezinjtë. Kjo ishte fitorja e dytë radhazi e Flamurtarit, pas fitores së pak ditëve më parë në Ballsh. Tre pikë që mbushin me oksigjen Flamurtarin, pas problemeve të shumta gjatë muajve të parë të këtij sezoni, ndërsa korçarët janë të detyruar ta pranojnë këtë humbje që gjithsesi nuk u heq titullin e kampionit të dimrit. Olayinka luajti edhe ndeshjen e fundit me Skënderbeun, kishte në këmbët e tij topin e golit të parë që në minutën e pestë por nigeriani nuk përfitoi nga gabimi i Kuqit. Ndeshja u zhbllokua në 26’, kur Greca përshkoi pothuajse gjithë gjysmëfushën e korçarëve duke dhuruar një asist për Lenën. Skënderbeu u duk i përgjumur dhe nuk arriti të jepte sinjale të rëndësishme gjatë pjesës së parë. Olayinka i mbështetur nga Latifi dhe Esquerdinha e kishin të pamundur për të zbërthyer mbrojtjen vlonjate. Olayinka vendosi barazpeshën 7 minuta nga fillimi i pjesës së dytë, pas një kërcimi të fuqishëm me kokë. Në 58’, Greca u tregua një kohë më i shpejtë se Shehi për të shtyrë në rrjetë pasimin e Ylli Hoxhës. Skënderbeu u hodh i gjithi në sulm në kërkim të golit të barazimit por Greca fitoi një goditje dënimi në kufijtë e zonës së rreptësisë dhe ishte Telushi ai që me një të djathtë të saktë vulosi fatin e takimit. Minutat në vazhdim nuk i ndryshuan shifrat dhe në këtë mënyrë Flamurtari ngjitet në kuotën e 16 pikëve, duke u ngjitur në vendin e shtatë të klasifikimit, ndërsa Skënderbeu mbetet në krye me 43 pikë.
Partizani, Teuta shkarkon Starovën?
Teuta shkon në festa me një fitore të madhe. Teuta e gjen fitoeen falë një super-goli të Lukiç, fitore që rezulton edhe dhurata e fundvitit. Fitoren 0-1 ndaj Partizanit në “Qemal Stafa”, me të kuqtë që nuk arrijnë të përfitojnë nga hapi fals i rivalëve të Skënderbeut, duke pësuar humbjen e dytë radhazi ndërsa bregdetarët ngjiten në vendin e tretë dhe e mbyllin 2015 në zonën europiane. Takimi në “Qemal Stafa”, nisi me 14 minuta vonesë, për shkak të mungesës së energjisë elektrike në impiantin kryeqytetas. Me fillimin e ndeshjes, Starova zbuloi edhe eksperimentin e radhës, duke rreshtuar një Partizan me modulin 3-4-3. Raçiç, Fazlliu dhe Plaku, në sulm nuk mundën dot të gjenin golin. Minutat e para pa shumë raste Partizani shpërdoron disa raste dhe momenti vendimtar i takimit vjen në 28’, me Lukiç që shfrytëzon një goditje dënimi për të shfaqur gjithë klasin e tij. Pjesa e parë mbyllet pa gola. Në 47’, Fejzullahu kroson për Plakun që gjuan por këtë herë është shtylla që i mohon golin. Katër minuta më pas është Daja që kroson për Raçiç, por Moçka mbetet i pakalueshëm. Partizani dorëzohet dhe mbyll m humbje vitin 2015. Burime të sigurta pranë klubit të Partizanit konfirmojnë se për humbjen e dytë radhazi pas një serie prej 16 takimesh që se njihte disfatën në kampionat, trajneri Sulejman Starova pritet të shkarkohet gjatë ditëve në vazhdim. Po ashtu, Partizanin e pret një organizim tjetër dhe merkato cilësore në muajin janar. Ish-trajneri Shpëtim Duro, i cili sapo është larguar nga Shkëndija e Tetovës shihet si një alternativë e mundshme në janar për stolin e të kuqve, nëse Starova nuk do të marrë besimin e presidentit Gaz Demi.
Laçi, Xhejms “shpartallon” Tërbunin
Laçi ri-gjen ritmin me Xhejms Adenij dhe regjistron fitoren e 2-të radhazi në kampionat pasi mposhti me rezultatin e thellë 4-0 Tërbunin e Pukës. Sulmuesi nigerian realizoi 2 gola ndërsa dhe dha një asist në këtë përballje. Gjyqtari kryesor i takimit Dyrmishi ndëshkoi me karton të kuq Sadush Danajn për një ndërhyrje të gabuar të këtij të fundit ndaj Xhejms, që i vetëm po i drejtohej portës së Haxhos. Në superioritet numerik Laçi e kishte më të thjeshtë dhe ja doli më në fund të zhbllokonte shifrat në minutën e 45-të me Valdano Nimanin, pas asist të Xhejms. Në 52’, Laçi dyfishoi shifrat për meritë të Xhejms që fillimisht fitoi një 11-metërsh dhe më pas e kthehu atë në gol. Në 59’, Xhejms pas një aksioni personal gjeti një tjetër gol duke hipotekuar fitoren e kurbinasve. Për të vulosur rezultatin mendoi Olsi Gocaj që në minutën e 83-të realizoi një gol të bukur, 4-0.
Kategoria Superiore
Java e 18-të/23 dhjetor
Flamurtari-Skënderbeu 3-1
Partizani-Teuta 0-1
Laçi-Tërbuni 4-0
Kukësi-Tirana 0-1
Vllaznia Shkodër 3-2
Klasifikimi
Skënderbeu 43
Partizani 40
Teuta 30
Tirana 29
Kukësi 28
Laçi 25
Flamurtari 16
Vllaznia 15
Bylis 13
Tërbuni 11
Kukësi-Tirana 0-1
Hasan Lika i zhgënjyer nga Kukësi, janari të çon në merkato
Tirana fiton ndeshjen direkte me Kukësin, 1-0 dhe shkon e qetë për pushime. Në 30’ Bakaj kryesoi për Karan, i cili e ktheu topin për te kolegu i repartit të tij, Gent Muça, që kaloi përpara Tiranën ashtu si në fazën e parë. Ndeshja ishte e bukur mes dy ekipeve, por ky episod vendosi fatet e saj dhe i dha triumfin bardhebluve. Trajneri i Tiranës, Ilir Daja në përfundim të sfidës ndaj Kukësit, në “Zeqir Ymeri”, nuk mund ta fshihte faktin se bardheblutë e mbyllën vitin me një fitore të rëndësishme dhe nga ky sukses ndaj verilindorëve, do të kërkojë të niset Tirana e vitit të ardhshëm. – “Kishim ardhur me bindjen për të marrë tre pikët, kemi bërë një pjesë të parë shumë pozitive duke mos i lënë hapësira kundërshtarit. Kemi bërë shumë mirë në këtë fraksion loje në çdo aspekt. Në pjesën e dytë lëshuam disi në lojën tonë. Nuk u pa në fushë Tirana më e mirë, por e rëndësishme është që arritëm të merrnim tre pikët”. Merkato sipas trajnerit, Daja me largimin e Gilberto Fortunatos, do të thotë se në janar do të jenë në vëmendje përforcimet në repartin e avancuar, edhe pse për momentin nuk ka ende asnjë emër konkret se kush mund të jetë bomberi i ri i skuadrës kryeqytetase. Trajneri i Kukësit, Klodian Duro nuk pre feroi të komentonte humbjen, ndërsa drejtori Teknik, Hasan Lika, tha se skuadra e tij vuajti edhe njëherë tjetër problemet në finalizimin e aksioneve. – “Kemi bërë një ndeshje jo shumë të keqe, kemi kërkuar me cdo kusht që pas 0-1 të barazonin rezultatin, por edhe për meritë të kundërshtarit edhe për fajin tonë nuk ja dolëm dot. Nuk ishim të saktë në finalizimin e aksioneve dhe kjo na penalizoi”. Rezultatet në dy ndeshjet e fundit nuk kanë qenë aspak pozitive për verilindorët me Klodian Duron dhe Hasan Likën në krye. Gjithsesi Lika shtoi se Kukësi ka nevojë për disa përforcime në merkaton Janarit, për të arritur objektivat.
Vlalznia-Bylis 3-2
Kule: Po penalizojnë Bylis, për të shpëtuar Vllazninë dhe Flamurtarin
Pas zgjidhjes së problemeve financiare, për Vllazinë vjen edhe rezultati i tretë radhazi pozitiv pas një periudhë të gjatë krize. Fitorja 3-2 me Bylis merr vlera të dyfishta për ekipin shkodran, pasi u arrit përballë një kundërshtari direkt për mbijetesë. Skuadra shkodrane e nisi vrullshëm takimin dhe pas 75 sekondave arriti të kalonte në avantazh me Shtubinën, pas një harkimi të saktë të Arbrit nga e djathta e sulmit shkodran. Supergol i Cinarit me një gjysmë-roveshatë e barti edhe më të lehtë fitoren e Vllaznisë, që e mbylli pjesën e parë, 2-0. Në fraksionin e dytë skuadra ballshiote është më e qartë në lojë, por Cinari, në 82’, çoi topin në rrjetë për herë të dytë në këtë sfidë. Bylisi pas shumë përpjekjesh shkurtoi diferencën me Brunild Pepën në 86’, ndërsa 2 minuta më pas Hoxhaj hapi ndeshjen pasi kërceu fuqishëm dhe realizoi me kokë, por Bylis mbeti me një lojtar më pak pas ndëshkimit të Asan, me karton të kuq. Trajneri i Vllaznisë, Armir Grima shfaqet i lumtur për fitoren e vështirë të arritur kundër Bylisit që i jep shanse skuadrës shkodrane për mbijetesë, pasi fitoi ndaj një rivali direkt. “Futbolli është i pabesë. Mund të ndëshkohesh atëherë kur nuk e pret. Jam shumë i kënaqur për fitoren që arritëm.” Grima kërkon që të gjithë aktorët që punojnë për Vllazninë të japin maksimumin për ta nxjerrë klubin nga kjo situatë. “Po jap gjithçka për këtë skuadër por nuk duhet të jetë vetëm Grima që të bëjë punën e tij. Duhet të punojmë të gjithë”. Pas humbjes shefi i klubit të Bylisit, Maringlen Kule e nisi prononcimin e tij me një akuzë të drejtpërdrejtë. “Nuk jam i kënaqur me arbitrimin, sepse në fund kishte edhe 10 sekonda lojë dhe ai e mbylli ndeshjen. Vazhdojnë që të na dënojnë. Mendoj që këtu po penalizohet Bylisi dhe duhet të shpëtohet Vllaznia dhe Flamurtari, megjithë respektin që kam për këto dy skuadra. Ne si staf jemi shumë të ngarkuar”. Ai shtoi se skuadra nuk ishte ambjentuar me fushën e lojës dhe me kalimin e minutave arriti të fitonte terren. Sipas Kules, edhe vendimi për anulimin e golit të Bylisit ishte i gabuar. Ai shtoi se skuadra e tij po penalizohet, por sipas drejtuesit të përkohshëm të stolit ballshiot, Bylisi do të ndryshojë fytyrë gjatë vitit 2016.
KOHA JONË SONDAZH

