Flasin protagonistët, Barça-Beyern e Real Madrid-Juve, finalja pa favoritë
Josep Guardiola si trajner do të përballet për herë të parë ndaj ish-ekipit të tij, pasi shorti i Champions League, e vendosi skuadrën e tij aktuale të Bayern München përballë katalanasve. Po aq e fortë dhe e interesante do të jetë edhe gjysmëfinalja tjetër mes Juventus e Real Madrid. Guardiola fitoi 14 trofe në katër vjet si trajner i Barcelonës: UEFA Champions League, 2009 e 2011. Ai i shtoi sukseseve edhe Super-kupën UEFA, Kupën e Botës për Klube, tre tituj kampionë në Spanjë, mes viteve 2009 e 2011, Kupën e Mbretit 2009 dhe 2012 si dhe Super-kupën e Spanjës më 2009, 2010 e 2011. Pasi mësoi shortin trajneri i Barcelonës, Josep Guardiola, theksoi: – “ Gjithnjë ndeshesh me ekipe të mëdha në gjysmëfinale të Champions. Vitin e kaluar ne luajtëm ndaj Real Madrid, dhe këtë vit është Barcelona. Kam shumë respekt për atë. Jam i kënaqur që kam shansin të ndeshem me ish-ekipin ku kam kaluar karrierën për në fund të fundit do të jenë dy ndeshje futbolli.” Ashtu si Bayern, edhe Barcelona kryeson La Liga, por ka një rivalitet të ashpër me Real Madrid dhe nuk e ka të sigurtë titullin kampion. Trajneri i katalanasve Luis Enrique, theksoi pas shortit se: “do të jetë një ndeshje e veçantë. Pep [Guardiola] është trajner i tyre, por do të jetë e veçantë edhe për mua dhe lojtarët. Do të jetë një përballje e madhe edhe për tifozët e Barçës. Ne shkojmë me objektiv për të fituar të dyja takimet brenda dhe jashtë. Por futbolli është i tillë dhe gjithnjë të dhuron suprixza,” – theksoi Enrique. Real Madrid dhe Juventus në ndeshjen tjetër gjysmëfinale, ndërkaq, kanë një histori të pasur evropiane nga ana e tyre. Në ndeshjet gjysmëfinale ato do të takohen për herë të 17-të dhe të 18-të, në historinë e përballjeve evropiane mes tyre. Përballja më e famshme mes tyre ishte finalja e Champions League, e vitit 1998.
Shorti i gjysmëfinaleve të UEFA Champions League
Barcelona- Bayern München 6 & 12 Maj
Juventus – Real Madrid 5 & 13 Maj
Finalja e UEFA Champions League
6 qershor , “Olympiastadion” Berlin
Barça-Bayern
Mestre dhe Breitner, pas shortit
Jordi Mestre, zv. Presidenti i Barcelonës, theksoi pas hedhjes së shortit se “nuk ishte surprizë, por me Bajern dhe mbi të gjitha, ndeshja e parë brenda i bën gjërat të vështirë. Ne e njohim mirë Pep Guardiola, sikurse Luis Enrique dhe ai njihen mirë me njëri-tjetrin. Kjo mendoj se do ta bëj edhe më interesante ndeshjen.” Paul Breitner, përfaqësuesi i Bayern në hedhjen e shortit theksoi, “do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për të shpresuar arritjen në finale. Duhet të luajmë dy ndeshje të mëdha për të kaluar Barcelonën.” Bayern-Barcelona është komentuar gjerësisht nga të dy kampet dhe askush nuk mendon se nga kjo përplasje ka favoritë.
Real-Juve
Butragenjo e Nedved, pas shortit
Emilio Butraguenjo, drejtori i Real Madrid, pas shortit theksoi se “vitin e kaluar në tetor ne e kishim shortin më të vështirë, pasi përballë ishte Bajern, që konsiderohej skuadër shumë e fortë. Tani do të luajmë ndaj një skuadre që mbrohet mirë dhe të përgatitur taktikisht për të dhënë më të mirën në fushë.” Ish-lojtari i Juventus, Pavel Nedved, i dërguari i klubit bardhezi në hedhjen e shortit theksoi: “Ne jemi të lumtur që arritëm në gjysmëfinale, pas 12 vjetësh. Kam luajtur ndaj Real Madrid ndeshjen fundit, (Juve fitoi 4-3 pas dy ndeshjeve dhe kaloi më tej më 2003). Do të jetë një gjysmëfinale tepër emocionuese,” – tha ai.
Trajneri i Juves, Allegri pa frikë: Luajmë 11 kundër 11
Massimiliano Allegri zgjedh rrjetin social Tëitter për të komentuar shortin e UEFA Champions League që e vendosi Juventusin përballë Realit të Madridit. Trajneri italian beson se bardhezinjtë mund ta kalojnë pengesën “Los Blancos”, madje tregoi muskujt e skuadrës së tij për të treguar se nuk është aspak inferiore në këtë përballje. “Kampionët në fuqi, një stadium i madh dhe një preh teknikëve më të suksesshëm të Europës. Gjithsesi, ata do të jenë në fushën e lojës vetëm 11, ashtu si ne”, shkruan trajneri toskan, duke karikuar djemtë e tij dhe tifozët bardhezi për ta mbështetur skuadrën deri në fund. Një sfidë kjo emocionuese edhe për dy spanjollët e Juventusit, Fernando Llorente e Alvaro Morata me këtë të fundit që kërkon t’i tregojë ish skuadrës së tij se bëri një hap të gabuar duke e lënë të lirë gjatë merkatos së verës. “Rikthimi në Bernabeu do të jetë një moment special”, shkruan sulmuesi madrilen, ndërsa bomberi bask shton: “Jemi gati, një sfidë e madhe. Deri në vdekje Forca Juve”.
KOHA JONË SONDAZH

