Flet “tradhtari” i radhës: Zemra ime rreh për Danimarkën!
Riza Durmishi është lojtari shqiptar i Brondby, në Danimarkë që do të luajë kundër kuqezinjve më 4 shtator. Ai e ka origjinën nga Tetova, pasi prindërit e tij janë zhvendosur nga ajo pjesë shqiptare e Maqedonisë dhe jetojnë në Danimarkë. Futbollisti me origjinë shqiptare ka lindur atje, por nuk e mohon se i ka “rrënjët” shqiptare. Ai është ftuar nga trajneri Morten Olsen në kombëtaren daneze për kualifikuesen e 4 shtatorit ndaj Shqipërisë. Do të luajë apo jo, kjo mbetet të shihet, por ama është bërë subjekt i medias së Danimarkës. Shkak është prejardhja e tij, nga kundërshtari i radhës në fushatën kualifikuese të “Euro 2016”. – “Edhe pse prindërit e mi janë shqiptarë, të premten babai im do të marrë me vete fanellën e ekipit të kuq të Danimarkës,” – thotë Riza Durmishi. Për shumicën, mund të kishte qenë e vështirë për të zgjedhur. Riza Durmishi e ka pasur mundësinë të luajë edhe me Shqipërinë, por ka zgjedhur pa hezitim Danimarkën. Nuk ka pasur kurrë një dyshim të dytë për këtë. – “Ka qenë gjithmonë dëshira ime e madhe për të luajtur me Danimarkën. Nuk kam qenë kurrë në një situatë të dyzuar, sa të merrja parasysh zgjedhjen e kombëtares së një vendi tjetër, – thotë lojtari 21-vjeçar i Brondby, për “Ekstrabladet”. Durmishi ka lindur dhe është rritur në Ishoej, prandaj nuk ishte kurrë në dyshim për zgjedhjen e tij. Pavarësisht nga rrënjët shqiptare të prindërve, nuk ka asnjë mosmarrëveshje në shtëpi, me familjen, për zgjedhjen që ka bërë, duke përfaqësuar Danimarkën. “E gjithë familja ime, nëna, babai, vëllai, gjyshi nga Gjermania dhe xhaxhai im, do të jenë në “Telia Parken” të premten. Unë jam i sigurt se babai im do të marrë me vete fanellën e Danimarkës”, – thotë Riza Durmishi. Ai u ftua ditët e fundit nga trajneri Morten Olsen, teksa pret të luajë për herë të parë me Kombëtaren daneze në “Telia Parken”. Simon Poulsen nuk erdhi fare në grumbullim, ndërsa Nicolai Boilesen është kthyer në shtëpi, pasi pësoi një lëndim të vogël në gju. – “Ndjehem shumë mirë, sepse jam më afër se kurrë kombëtares së Danimarkës. Nuk e kam fare problem, nëse nuk e filloj ndeshjen si titullar. Rëndësi ka që jam pjesë e grumbullimit dhe trajnimit me Morten Olsen. Unë jam i gatshëm, por pjesa tjetër i takon Morten Olsenit. Nëse me jepet shansi, është e qartë se mund t’i kuptoj çfarë thonë shqiptarët me njëri-tjetrin në fushë. Ky përbën një avantazh për mua, – thotë Riza Durmishi, i cili e filloi karrierën e tij si futbollist në “SB 50”, në Ishoej. Kontrata me Brondby i skadon verën e ardhshme, ndërsa nuk ka pasur shenja të mëdha se ky bashkëpunim mund të vazhdojë. Durmishi thotë: “Prioriteti im i parë është që ta zgjas kontratën me Brondby. Ndryshe, më duhet të shkoj jashtë vendit. Unë jam 21 vjeç dhe kam ende shumë për të mësuar para se të jem gati për një aventurë larg nga Brondby.” Kësisoj, ai ka ndjekur rrugën e Xherdan Shaqirit, Granit Xhakës etj te Zvicra, por jo të Taulant Xhakës që është aktualisht pjesë e skuadrës sonë kombëtare.
KOHA JONË SONDAZH

