Flick: Championsi special, mezi pres përballjen me Atleticon!
Bayern Munich zhvilloi një sezon perfekt me Hansi Flick në krye, duke fituar të gjitha trofetë e mundshëm. Strategu i njohur në vigjilje të duelit të parë ndaj Atletico Madrid është shprehur për objektivat për sezonin e ri.
“Duam të kemi sa më shumë suksese të jetë e mundur, por e dimë se sa e vështirë është për t’i arritur. Nuk ka një metodë të re për t’i bërë gjëra. Do të luajmë një ndeshje, pa humbur vëmendjen për objektiva më të mëdha.
Çdo ndeshje e Champions League është speciale, por të luash kundër Atleticos në ndeshjen e parë është një moment vendimtar. Diego Simeone është te Atletico prej 9 sezonesh dhe gjithmonë ka marrë më të mirën nga ekipi. Ka një nga mbrojtjet më të mira në Europë. Kur humbasin topin, janë shumë agresiv dhe të disiplinuar. Mezi pres që të përballemi”, deklaroi Flick në konferencën para ndeshjes. /R.Lika-Koha Jone/