Flick driblon të ardhmen e Lewandowskit: Nuk është momenti i duhur!
E ardhmja e Robert Lewandowski vazhdon të jetë një nga temat më të diskutuara në ambientin e Barcelona. Sulmuesi polak, kontrata e të cilit po shkon drejt fundit, ka tërhequr vëmendjen edhe të disa klubeve italiane si Juventus dhe Milan.
Megjithatë, trajneri i katalanasve, Hansi Flick, ka zgjedhur të mos hapë debat mbi këtë çështje. Në konferencën për shtyp, ai ka qenë i prerë duke theksuar se nuk është momenti për të diskutuar kontratat.
“Besoj se i jam përgjigjur kësaj pyetjeje në çdo konferencë. Nuk është koha e duhur për të folur për këtë”, u shpreh Flick.
Trajneri gjerman theksoi se fokusi i skuadrës duhet të jetë te objektivat sportive në këtë fazë vendimtare të sezonit.
“Kemi synime të mëdha për të arritur dhe të gjithë lojtarët duhet të përqendrohen vetëm te fusha, duke dhënë maksimumin për skuadrën, klubin dhe tifozët”, shtoi ai.
Në fund, Flick sqaroi edhe rolin e tij në çështjet e merkatos, duke ia deleguar këtë përgjegjësi drejtuesve të klubit.
“Nuk është detyra ime të flas për të ardhmen e lojtarëve apo për afrimet e mundshme. Kjo është përgjegjësi e Deco”, përfundoi trajneri.
KOHA JONË SONDAZH

