Flick: Na u mohua një penallti, kemi lojtarë për ta përmbysur rezultatin
Humbja 0-2 në “Camp Nou” ndaj Atlético Madrid ka lënë shije të hidhur te trajneri i Barcelonës, Hansi Flick. Jo vetëm rezultati, por edhe disa episode të kontestuara gjatë takimit kanë shkaktuar reagimin e fortë të teknikut gjerman.
Pas ndeshjes, Flick analizoi me detaje momentet kyçe, duke vënë në dukje mungesën e një kartoni të kuq për Pubill dhe një penallti të paakorduar në favor të Barcelonës.
“Ishim të pafat, nuk ishte mbrëmja jonë. Kartoni i kuq dhe menjëherë më pas goli i Atletico-s na ndëshkoi, por jam krenar për ekipin tim. Edhe në pjesën e dytë, megjithëse me një lojtar më pak, skuadra reagoi mirë”, u shpreh Flick.
Pavarësisht disfatës në shtëpi, trajneri gjerman nuk e ka humbur besimin për ndeshjen e kthimit. Ai theksoi se skuadra ka cilësitë e duhura për të përmbysur rezultatin dhe për të vijuar rrugëtimin drejt finales.
“E dimë që do të jetë e vështirë. Duhet të qëndrojmë të qetë dhe pozitiv. Kemi lojtarë me cilësi për ta përmbysur këtë rezultat. Objektivi ynë është finalja dhe do të bëjmë gjithçka për ta arritur”, deklaroi Flick në konferencën për shtyp.
KOHA JONË SONDAZH

