Florian Marku: Kurrë nuk jam dorëzuar, do rikthehem më i fortë se kurrë!

Florian Marku pësoi disfatë pas 13 fitoresh si profesionist. Marku u mund nga Chris Kongo, në duelin e vlefshëm për kategorinë e peshave të lehta. Boksieri shqiptar, ka bërë një postim në rrjetet sociale, ku ka premtuar se do rikthehet më i fortë se kurrë.

“Kanë kaluar disa ditë nga ndeshja. Kam parë edhe lexuar disa nga komentet. Dua të falënderoj nga zemra, sinqerisht, të gjithë ata që e kanë përjetuar këtë humbje me mua edhe sado pak janë munduar të më dërgojnë një mesazh pozitiv, të tregojnë përkrahje. Nuk e keni idenë se sa e vlerësoj secili prej jush. Ka dhe nga ata që prisnin 14 vite, që nga hera e fundit që unë kam humbur, të tregojnë shpirtin e tyre të zi, duke u munduar të njollosin emrin tim.

Flamurin tonë e kam mbajtur gjithmonë në krahu me krenari dhe trimëri, siç i takon, në çdo shtet të botës, kurrë nuk e kam shitur veten as nënshtetasin time për asnjë lloj vlerë, edhe kurrë nuk do ta bëj. Kurrë nuk jam dorëzuar, kurrë nuk kam bërë pas në asnjë lloj beteje duke qenë me krahë ose duar të thyera. Kundërshtari ishte i pashmangshëm, i doli loja që ai kërkonte duke lëvizur vazhdimisht dhe duke përqafuar tepër.

Po, unë HUMBA, pas afërsisht 15 vitesh, por gjithçka ndodh për një arsye, dhe arsyeja e kësaj që ndodhi do të duket në ditët në vazhdim. Ne dimë vetëm të tashmen, nuk dimë çfarë na pret në të ardhmen, pse ndodhi ose çfarë ndodhi në ndeshjen e fundit. Gjithçka ndodh për një arsye. Unë di që kjo që më ndodhi, vetëm më zgjoi dhe më rikujtoi që çfarëdo që të bësh, gjithmonë do të dalë dikush në rrjete sociale të gjykojë pa pasur asnjë lloj përvoje. Ju falënderoj nga zemra për përkrahjen! Unë nuk dorëzohem pa ia arritur qëllimit që kam që në moshë të vogël. Do të shpenzoj pak kohë me familjen dhe me fëmijët e mi dhe pastaj do të rikthehem më fort se kurrë, ju premtoj. I juaji, Florian Marku”, shkroi boksieri.

SHKARKO APP