Formacionet zyrtare/ Sylvinho ndryshime të mëdha në mbrojtje ndaj Letonisë

Kombëtarja shqiptare zbret sot në fushë për sfidën e katërt në kuadër të kualifikueseve të Kampionatit Botëror 2026, ku do të përballet me Letoninë në “SSkonto Stadion” të Rigës. Pas barazimit 0-0 ndaj Serbisë në “Arenën Kombëtare” tre ditë më parë, kuqezinjtë kërkojnë me çdo kusht fitoren për të ruajtur pozitat në zonën kualifikuese dhe për të konsoliduar vendin e dytë në grup.
Trajneri Sylvinho ka bërë disa ndryshime në formacion, kryesisht në repartin e mbrojtjes. Ismajli dhe Kumbulla zëvendësojnë Gjimshitin dhe Ajetin, ndërsa Elseid Hysaj e nis nga stoli, me Ivan Balliun që starton si titullar. Pjesa tjetër e ekipit mbetet e pandryshuar në krahasim me sfidën ndaj Serbisë.
Në këtë ndeshje, shiritin e kapitenit e mban sulmuesi Rey Manaj, i cili kërkon të lërë pas vetes zhgënjimin nga penalltia e humbur në ndeshjen e fundit dhe të udhëheqë skuadrën drejt fitores.
Takimi do të drejtohet nga arbitri turk Umut Meler, i ndihmuar nga bashkëkombësit e tij Kerem Ersoy dhe Ibrahim Çaglar Uyarcan. Gjyqtari i katërt do të jetë Oguzhan Çakir, ndërsa në sistemin VAR do të asistojnë dy gjyqtarë gjermanë: Harm Osmers dhe Daniel Schlager.
Shqipëria synon të marrë maksimumin e pikëve në këtë përballje të rëndësishme, për të vazhduar rrugën drejt një kualifikimi historik në Botërorin 2026.