Formati i ri për Championsin, hiqet faza e grupeve dhe aplikohet “modeli zviceran”
Champions League mund të ndryshojë sërish formatin në vitet e ardhshme, pasi klubet e mëdha prej kohësh po kërcënojnë UEFA-n, teksa tani institucioni i futbollit në kontinentin tonë është hedhur në kundërsulm. Së fundmi ka pasur një takim mes klubeve të ligave kryesore evropiane dhe UEFA-s për të diskutuar idenë e prezantimit të një formati të ri për Champions League. Në agjendë mbi të gjitha zgjerimi i fazës së grupeve, me më shumë ndeshje të planifikuara para se të arrijmë në fazën e eliminimit direkt.
Debati i hapur për të shmangur rrezikun e lindjes së një SuperLeague, është përqendruar në eliminimin e formatit të tetë grupeve me katër ekipe, të cilat luajnë tri ndeshje në shtëpi dhe po aq jashtë. Një sistem që shpesh ka bërë që skuadrat më të forta të kualifikohen me një ose dy ndeshje paraprakisht. UEFA po vlerëson mundësinë që secili prej 36 klubeve të luajë (pra 4 më shumë sesa ato aktualisht të pranishëm) 10 ndeshje kundër kundërshtarëve të grupeve të ndryshme bazuar në renditjen. Në atë pikë, do të kualifikoheshin ekipet që do të merrni rezultatet më të mira.
Problemi është se më këtë ide, numri i ndeshjeve thuajse do të dyfishohej nga 125 që janë aktualisht në 180. Diçka që nuk është pritur aspak mirë veçanërisht nga klubet angleze që kanë një kalendar më të ngjeshur në kompeticionet kombëtar. Formati i ri, i riemëruar në “modeli zviceran”, u miratua nga Andrea Agnelli, drejtor i ECA dhe president i Juventus. Sfidat nuk do të luhen gjatë fundjavave, në mënyrë që të mos ndikojnë në strukturën e kampionateve. Ky format shihet më fitimprurës në aspektin e të ardhurave televizive, të cilat në fakt kanë rënë ndjeshëm për klubet e mëdha pas pandemisë.