FOTO/ Nis bashkëpunimi për të ringritur Vllazninë, dy kroatët “zbarkojnë” në “Loro Boriçi”
Alban Xhaferi ka vendosur të marrë frenat e financimit të Vllaznisë dhe me mbylljen e sezonit ka nisur menjëherë punën, duke emëruar një drejtor të ri sportiv e gjithashtu, duke shkarkuar Hysen Dedjen dhe vendosur në këtë post një kroato-gjerman, i cili është emër i njohur në arenën ndërkombëtare si futbollist.
Tomas Brdariç si trajner dhe Matko Djarmati si drejtor sportiv do të jenë dy personat përgjegjës për të ringritur Vllazninë në pjesën e sipërme të tabelës, në mënyrë që shkodranët të luftojnë të paktën për një vend të Europa League. Brdariç vjen si sugjerim i drejtorit Djarmati dhe së bashku ditën e sotme janë takuar, ku tekniku është njohur me stadiumin dhe ambientet e tjera të klubit.
Këtë fakt e vërteton edhe një foto e siguruar nga “Sport nga Bajraktari”, ku shihen dy drejtuesit e Vllaznisë së sezonit të ardhshëm në ambientet e stadiumit “Loro Boriçi”. Së shpejti pritet zyrtarizimi i kësaj dysheje, për të nisur më pas menjëherë me afrimet në merkato për përforcimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm.
/vipsport.al/