Fotografia që tregon madhështinë e Baresit, Maradona e quajti mbrojtësin më të mirë në histori
Ka momente që mbeten të pavdekshme në historinë e futbollit dhe një prej tyre lidhet me legjendën e Franco Baresi. Një fotografi ikonike e Diego Armando Maradona, i veshur me fanellën kuqezi me numrin 6 të Baresit, vazhdon të konsiderohet si një nga dëshmitë më të mëdha të respektit që ish-kapiteni i Milanit gëzonte në botën e futbollit.
Fotoja është realizuar pas ndeshjes së 1 tetorit 1989, kur Napoli mposhti Milanin me rezultatin 3-0. Pas përfundimit të sfidës, dy legjendat shkëmbyen fanellat në dhomat e zhveshjes, ndërsa Maradona nuk i kurseu fjalët e vlerësimit për mbrojtësin italian.
“Kjo fanellë është e një lojtari të jashtëzakonshëm. Unë mendoj se Franco Baresi është mbrojtësi më i madh. Ky është një kujtim që do ta ruaj me vete për gjithë jetën”, ishte deklarata e legjendës argjentinase.
Vlerësimi i Maradonës mori një peshë të veçantë, pasi vinte nga një prej futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, i cili gjatë karrierës së tij u përball me mbrojtësit më të fortë të epokës.
Fjalët e “El Pibe de Oro” mbeten edhe sot një nga komplimentet më domethënëse për Franco Baresin, duke konfirmuar vendin e tij mes mbrojtësve më të mëdhenj në historinë e futbollit.
KOHA JONË SONDAZH

