Fotot virale të Infantinos në dy stadiume njëkohësisht ndezin debat në rrjetet sociale
Pamjet e presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, janë bërë virale në orët e fundit në rrjetet sociale, duke ngritur pikëpyetje mes tifozëve dhe përdoruesve të internetit.
Në fotografitë që po qarkullojnë gjerësisht, Infantino shfaqet i ulur në tribunat e stadiumit MetLife Stadium në Nju Jork, ku po zhvillohej ndeshja Gjermani–Ekuador. Në të njëjtën kohë, një tjetër foto e paraqet atë në tribunat e stadiumit në Filadelfia, duke ndjekur sfidën Bregu i Fildishtë–Kurasao, e cila nisi në të njëjtin orar.
Menjëherë pas publikimit të këtyre imazheve, në rrjet shpërtheu debati: si mund të ishte kreu i FIFA-s në dy vende të ndryshme në të njëjtën kohë?
Sipas verifikimeve, distanca mes Nju Jorkut dhe Filadelfias përshkohet me makinë për rreth një orë e gjysmë, ndërsa një fluturim direkt zgjat afërsisht 45 minuta. Për këtë arsye, duket pothuajse e pamundur që Infantino të ketë ndjekur të dyja ndeshjet nga tribunat në të njëjtën kohë.
Dyshimet kanë çuar në përfundimin se të paktën njëra nga fotografitë që po qarkullojnë në rrjet mund të jetë e manipuluar ose e krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale.
Megjithatë, një fakt mbetet i konfirmuar: presidenti i FIFA-s ishte realisht i pranishëm në tribunë gjatë ndeshjes mes Bregut të Fildishtë dhe Kurasaos, ndërsa autenticiteti i imazhit tjetër vazhdon të vihet në diskutim.
KOHA JONË SONDAZH

