Franca dhe Meksika sigurojnë fazën e 1/8-ve, ekipi i Deschamps dhuron spektakël
Franca dhe Meksika kanë prerë biletën për në fazën e 1/8-ave të finales në Kupën e Botës 2026, pas fitoreve bindëse ndaj Suedisë dhe Ekuadorit.
Në ndeshjen e zhvilluar ndaj Suedisë, përfaqësuesja franceze dominoi nga fillimi deri në fund, duke triumfuar me rezultatin e pastër 3-0. Francezët krijuan raste të shumta dhe goditën dy herë shtyllën me Kylian Mbappé dhe Michael Olise, përpara se Mbappé të zhbllokonte sfidën në minutën e 45-të.
Në pjesën e dytë, Bradley Barcola dyfishoi epërsinë në minutën e 53-të, ndërsa Mbappé realizoi golin e tij të dytë personal në minutën e 74-t, duke vulosur fitoren 3-0. Të dy golat e pjesës së dytë erdhën pas asistimeve të shkëlqyera të Olise, i cili megjithatë mbeti pa gjetur rrugën e rrjetës. Me këtë sukses, Franca avancon në 1/8-at e finales, ku do të përballet me Paraguain.
Ndërkohë, edhe Meksika siguroi kualifikimin pas fitores 2-0 ndaj Ekuadorit para tifozëve të saj. Vendasit zgjidhën gjithçka që në pjesën e parë falë golave të Quiñones në minutën e 22-të dhe Jiménez në minutën e 31-të.
Situata për Ekuadorin u vështirësua edhe më shumë në kohën shtesë, kur Hincapié u ndëshkua me karton të kuq. Sipas raportimeve, mbrojtësi ekuadorian u përjashtua nga arbitri pasi komunikoi duke mbuluar gojën me dorë gjatë një debati në fushë.
Pas këtij triumfi, Meksika pret të mësojë kundërshtarin e saj në fazën e 1/8-ave, i cili do të dalë nga përballja mes Anglisë dhe Kongos.
KOHA JONË SONDAZH

