Franca triumfon ndaj Senegalit, Mbappe dhuron spektakël me dopietë
Franca e ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën e saj në Kupën e Botës, duke triumfuar 3-1 ndaj Senegalit në ndeshjen e parë të Grupit I, të zhvilluar në “MetLife Stadium”.
Pjesa e parë ishte e ekuilibruar dhe me pak raste shënimi. Momenti më i rrezikshëm erdhi në minutën e 24-t, kur Nicolas Jackson goditi shtyllën e portës së Mike Maignan pas një goditjeje të fortë me të majtën.
Francezët u rikthyen më kërkues pas pushimit. Në minutën e 53-të, Michael Olise iu afrua golit, por portieri Edouard Mendy reagoi në mënyrë vendimtare. Pesë minuta më vonë, një kontakt mes Sadio Mane dhe Kylian Mbappe në zonë shkaktoi polemika. Pas konsultimit me VAR-in, arbitri vendosi të mos akordojë penallti.
Bllokada u thye në minutën e 66-të. Olise dhuroi një asist të shkëlqyer dhe Kylian Mbappe finalizoi me qetësi për t’i dhënë avantazhin Francës. Senegali reagoi menjëherë dhe Nicolas Jackson dërgoi topin në rrjetë vetëm dy minuta më pas, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Në minutën e 82-të, Franca siguroi praktikisht fitoren. Bradley Barcola, i futur nga stoli, shfrytëzoi një asist perfekt të Adrien Rabiot dhe realizoi golin e dytë të takimit.
Minutat shtesë sollën emocione të tjera. Ibrahim Mbaye ngushtoi diferencën për Senegalin, duke rikthyer shpresat e afrikanëve. Megjithatë, kundërpërgjigjja e “Gjelave” ishte e menjëhershme. Kylian Mbappe realizoi një gol spektakolar nga distanca, duke vulosur suksesin 3-1.
Me këtë dopietë, Mbappe shkroi historinë, duke u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave me fanellën e Francës me 58 gola, një më shumë se rekordi i mëparshëm i Olivier Giroud.
KOHA JONË SONDAZH

