Francë-Irak drejt shtyrjes, shkak është bërë paralajmërimi për mot të keq
Ndeshja mes Francës dhe Irakut në Kupën e Botës 2026 mund të përballet me probleme serioze për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike që pritet të godasin rajonin e Filadelfias.
Takimi është planifikuar të zhvillohet në orën 23:00 sipas kohës sonë, por mediat amerikane raportojnë se moti i keq mund të ndikojë drejtpërdrejt në organizimin e sfidës. Sipas televizionit amerikan CBS, disa stuhi të fuqishme janë parashikuar në zonë dhe ekziston mundësia që ato të shndërrohen në një sistem të rrezikshëm moti, duke detyruar organizatorët të vonojnë ose madje të shtyjnë ndeshjen.
Autoritetet lokale kanë lëshuar paralajmërime për banorët dhe vizitorët, duke theksuar rrezikun nga erërat e forta shkatërruese, shkarkimet intensive elektrike dhe tornado të izoluara që mund të shfaqen gjatë orëve të ardhshme.
Përveç stuhive, meteorologët kanë paralajmëruar edhe reshje të dendura shiu, të cilat mund të shkaktojnë përmbytje të menjëhershme në disa zona të qytetit. Këto kushte konsiderohen një kërcënim jo vetëm për zhvillimin normal të ndeshjes, por edhe për sigurinë e mijëra tifozëve që pritet të jenë të pranishëm në stadium.
Situata mund të ndikojë gjithashtu në aktivitetet e organizuara jashtë stadiumit, përfshirë zonat publike të transmetimit të ndeshjes, si dhe në lëvizjen e tifozëve drejt impiantit sportiv.
Një tjetër shqetësim lidhet me trafikun ajror në zonën e Filadelfias. Kushtet e vështira atmosferike mund të shkaktojnë vonesa në fluturime, duke ndikuar në udhëtimet e tifozëve, mediave dhe delegacioneve të ndryshme që ndodhen në qytet për ndeshjen.
Organizatorët po monitorojnë situatën në vazhdimësi dhe pritet të marrin një vendim përfundimtar në varësi të zhvillimit të motit. Për momentin, skuadrat dhe tifozët janë paralajmëruar të përgatiten për vonesa të mundshme dhe ndryshime në programin e ndeshjes.
KOHA JONË SONDAZH

