Frika nga Coronavirusi, Ludogorets zbarkon me 150 maska në Milano
Shqetësimi te skuadra bullgare e Ludogorets është i madh për udhëtimin në Milano, ku do të luajnë ndeshjen e kthimit të Europa League kundër Interit.
Vendimi për të luajtur ndeshjen me dyer të mbyllura duket i pamjaftueshëm për të ulur alarmin e Coronavirusit. Kjo është arsyeja pse, siç raportohet nga faqja e internetit “dir.bg”, klubi bullgar ka ndërmarrë masa shtesë për sigurinë: një epidemiolog nga Bullgaria do të udhëtojë me ekipin që pasi të kthehet në shtëpi, do të testohet në Akademinë Mjekësore Ushtarake.
Me kërkesë të mjekut të klubit, janë blerë 150 maska sigurie për qëndrimin në Milano. Kontaktet me të huajt në Itali duhet të reduktohen në minimum. Frika është e madhe, teksa tifozët e kësaj skuadre në rrjetet sociale kanë shtruar edhe pyetje se nëse lojtarët do të qëndrojnë në karantinë pas rikthimit në Bullgari. /R.Lika-Koha Jone/