FSHF dhe “Elka” organizojnë kampionatin e shkollave “Replay Cup”
Federata e Futbollit, në bashkëpunim me kompaninë “Elka”, do të zhvillojë kampionatin e shkollave “Replay Cup”, një nismë që synon të promovojë futbollin në shkolla dhe të nxisë përfshirjen e vajzave dhe djemve në këtë lojë.
Në këtë edicion të parë do të marrin pjesë 16 ekipe të shkollave nga 8 shoqatat rajonale të futbollit: Tirana, Durrësi, Shkodra, Lezha, Elbasani, Gjirokastra, Korça dhe Fieri.
Skuadrat e djemve do të garojnë në nivel gjimnazesh, me pjesëmarrës të moshave 15-16 vjeç, ndërsa vajzat do të përfaqësojnë shkollat 9-vjeçare, me moshat 13-14 vjeç.
Sipas një kalendari të përcaktuar, 8 ndeshjet e para do të zhvillohen nga data 22 deri më 25 prill. Ekipet fituese do të kualifikohen direkt për në fazën gjysmëfinale që do të zhvillohet më 29 prill, ndërsa finalet për vendin e tretë/katërt dhe finalja e madhe do të luhet më 2 maj.
Përveç atmosferës sportive dhe argëtimit, kampionati “Replay Cup” do të dhurojë edhe çmime të ndryshme për skuadrat fituese.
KOHA JONË SONDAZH

