FSHF reagon për incidentet pas Elbasani-Vllaznia, Vllaznia kundërpërgjigjet: “Duam vetëm drejtësi”
Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar pas tensioneve të krijuara në përfundim të ndeshjes Elbasani-Vllaznia, e mbyllur në barazim 1-1. Sipas FSHF-së, pas vërshëllimës së fundit ka pasur një incident ku presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferri, dyshohet se ka goditur fizikisht një prej arbitrave asistentë.
Në një reagim zyrtar, institucioni i futbollit shqiptar dënoi çdo formë dhune ndaj arbitrave dhe zyrtarëve, duke theksuar se raste të tilla dëmtojnë rëndë integritetin e sportit.
“Drejtuesit e klubeve duhet të jenë shembull i korrektësisë dhe respektit ndaj kundërshtarit, arbitrave dhe institucioneve të futbollit. FSHF do të mbrojë me vendosmëri arbitrat dhe çdo zyrtar nga dhuna, kërcënimet apo presioni. Organet disiplinore do të procedojnë për marrjen e vendimeve. Në futbollin shqiptar nuk mund dhe nuk do të ketë tolerancë për akte të tilla.”
Por deklarata e FSHF-së nuk ka kaluar pa kundërpërgjigjen e Vllaznisë. Klubi shkodran shprehet se federata është nxituar duke e paraqitur akuzën si një fakt të konfirmuar, përpara se organet përkatëse të shqyrtojnë ngjarjen dhe të marrin një vendim.
Vllaznia thekson se është kundër dhunës në futboll, por njëkohësisht ngre pikëpyetje mbi mënyrën e zhvillimit të ndeshjes dhe vendimet e arbitrimit.
“FSHF e paraqet akuzën si një fakt të kryer përpara se të merret një vendim duke shqyrtuar faktet. Ne dënojmë dhunën në futboll. Por duam të njoftojmë se ndeshja me Elbasanin u zhvillua në një klimë aspak të zakonshme. Sipas rregullores, në këtë sfidë nuk duhet të kishte tifozë, por tribuna ishte e mbushur. Ne nuk kërkojmë favore nga arbitrat, por vetëm drejtësi.”
Polemikat nisën që gjatë dhe pas ndeshjes, veçanërisht për shkak të vendimeve të gjyqtarëve. Vllaznisë iu anuluan dy gola për pozicion jashtë loje, vendime që shkaktuan protesta nga kampi shkodran dhe shtuan tensionin pas përfundimit të takimit.
Në fushë, Elbasani dhe Vllaznia ndanë nga një pikë. Murataj kaloi kuqeblutë në avantazh, ndërsa Hebaj riktheu baraspeshën për vendasit.
KOHA JONË SONDAZH

