FSHF sjell eksperiencën e La Liga-s, Bernardino Gonzalez Vazquez merr drejtimin e Arbitrimit
Federata Shqiptare e Futbollit ka prezantuar zyrtarisht Bernardino González Vázquez si drejtorin e ri të Departamentit të Arbitrimit. Spanjolli, me një karrierë të gjatë në nivelet më të larta të arbitrimit, do të marrë përsipër një rol të rëndësishëm në zhvillimin e gjyqtarëve shqiptarë.
Në ceremoninë e prezantimit ishin të pranishëm zv.presidenti i FSHF-së, Geri Çipi, dhe kryetari i Bashkimit të Arbitrave Shqiptarë të Futbollit, Tahir Kastrati.
González Vázquez ka qenë arbitër i La Liga-s, arbitër ndërkombëtar i FIFA-s dhe ka drejtuar ndeshje të rëndësishme në kompeticionet europiane. Ndër arritjet e tij spikat edhe drejtimi i finales së Kampionatit Europian U-17 në vitin 2005.
Çipi e cilësoi emërimin një hap të rëndësishëm për rritjen e cilësisë së arbitrimit shqiptar, duke theksuar se eksperienca e spanjollit do të kombinohet me potencialin e arbitrave vendas.
Edhe Kastrati vlerësoi zgjedhjen e FSHF-së, duke bërë të ditur se González Vázquez do të ketë rol edhe në drejtimin e Komitetit të Arbitrimit, përfshirë strukturat që merren me caktimin, vlerësimin dhe vëzhgimin e arbitrave.
Në fjalën e tij të parë, spanjolli u shpreh se ka ardhur në Shqipëri për të ndarë eksperiencën e tij dhe për të ndihmuar arbitrat vendas të zhvillohen.
“Ka shumë talent në Shqipëri. Propozimi im është i thjeshtë: të përdor eksperiencën time për t’i ndihmuar arbitrat çdo ditë”, deklaroi ai.
González Vázquez theksoi se puna, zhvillimi dhe përmirësimi i vazhdueshëm do të jenë në qendër të filozofisë së tij, ndërsa kërkoi edhe një qasje më konstruktive ndaj gabimeve njerëzore të arbitrave.
“Arbitrat bëjnë gabime. Kanë bërë gjithmonë dhe do të vazhdojnë të bëjnë, sepse janë njerëz”, tha drejtori i ri i Arbitrimit.
Me këtë emërim, FSHF synon të sjellë standarde dhe eksperiencë të nivelit europian në një prej sektorëve më të rëndësishëm të futbollit shqiptar.


KOHA JONË SONDAZH

