Futbolli ishte shumë më i rrezikshëm para Koronavirusit…

Nga Eduard Zaloshnja –

Në ditët e fundit, lajmet mbi rifillimin e kampionateve të futbollit në Europë po shpeshtohen, ndërkohë që Franca, Holanda e Belgjika i ndërprenë përfundimisht kampionatet e tyre. Në çdo vend tjetër (përveç Bjellorusisë), zhvillimi i ndeshjeve të mbetura diskutohet të bëhet me stadiume bosh.

Në qoftë se analizojmë rrezikun e plagosjeve/sëmundjeve/vdekjeve nga ndeshjet e futbollit gjatë gjithë historisë së tij, mund të konstatojmë se deri kur u ndërprenë kampionatet e futbollit nga pandemia e Koronavirusit, probabiliteti që futbollistët/personeli ndihmës/tifozët të dëmtoheshin/sëmureshin/vdisnin nga futbolli ishte shumë më i madh sesa mund të jetë në kushtet e pandemisë. Në kushtet e pandemisë, stadiumet do të jenë pa tifozë, ndërkohë që futbollistët dhe personeli ndihmës do të jenë të detyruar të zbatojnë disa masa shtrënguese ndaj kontaktit fizik dhe fiziologjik (s’do lejohen të pështyjnë, fjala vjen).

Ndërkohë, në 150 vjet të historisë së futbollit, me mijëra tifozë kanë vdekur në shkallët e stadiumeve (kujtojmë tragjedinë e Brukselit në finalen europiane JuventusLiverpul më 1985, tragjedinë e Shefilldit në ndeshjen Liverpul-Notingem Forest më 1989 e shumë e shumë të tjera përreth botës).

Për të mos folur për mijëra futbollistë që e kanë ndërprerë karrierën deri më sot për shkak të dëmtimeve e sëmundjeve gjatë kohës që kanë ushtruar sportin më popullor të botës. Është e vërtetë se rreziku për vetë futbollistët dhe personelin ndihmës është relativisht i vogël në kushtet e pandemisë, por për familjarët e tyre mund të rritet pak rreziku i transmetimit.

Sidoqoftë, nëse çdo futbollist tregohet i kujdesshëm që të mos sëmurë familjarët e tij, ky rrezik mund të ulet. Në këtë mënyrë ulet edhe rreziku për vetë lojtarët, edhe për shoqërinë. Duke u fokusuar në Shqipëri, futbollistët tanë mund ta kenë më të lartë probabilitetin që të kapin ndonjë virus në dyqanet e lagjes (që tani po mbushen plot), sesa të infektohen duke luajtur në stadiume bosh…

SHKARKO APP