Futbolli në zi për Fatjon Bunjakun, mesazh ngushëllimi nga Armand Duka
Futbolli shqiptar është tronditur nga ndarja e parakohshme nga jeta e futbollistit të ri Fatjon Bunjaku, i cili humbi jetën në mënyrë tragjike si pasojë e një aksidenti rrugor. Lajmi i hidhur ka prekur komunitetin sportiv në Shqipëri dhe Kosovë, ku ai konsiderohej si një element me perspektivë për të ardhmen.
Për këtë humbje të rëndë ka reaguar edhe Federata Shqiptare e Futbollit, përmes presidentit të saj Armand Duka, i cili ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen e futbollistit, klubin e Elbasanit dhe të gjithë ata që e kanë njohur nga afër. Në mesazhin e tij, Duka e ka cilësuar ngjarjen si një tragjedi të madhe, duke theksuar se bëhet fjalë për një djalë të ri vetëm 22 vjeç, i cili kishte gjithë jetën dhe karrierën përpara.
Sipas tij, Fatjon Bunjaku do të mbahet mend për talentin e tij në fushën e lojës, përkushtimin dhe pasionin për futbollin, si dhe për respektin që gëzonte tek shokët e skuadrës, trajnerët dhe të gjithë ata që kanë punuar me të. Ai u shpreh se humbja e tij përbën një dhimbje të madhe për futbollin shqiptar në tërësi.
Presidenti i FSHF-së i përcolli familjes Bunjaku ngushëllimet më të sinqerta, duke u solidarizuar me dhimbjen e tyre në këtë moment të vështirë. Në përmbyllje të mesazhit të tij, ai u shpreh se kujtimi i futbollistit të ri do të mbetet i gjallë dhe se shpirti i tij u prehtë në paqe.
Ngjarja ka sjellë reagime të shumta edhe nga klube, tifozë dhe figura të sportit, të cilët kanë shprehur dhimbjen për humbjen e një talenti të ri të futbollit.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Fatjon Bunjakut. Kjo është një tragjedi e rëndë dhe një humbje e madhe, pasi bëhet fjalë për një djalë të ri, vetëm 22 vjeç, me një të ardhme të tërë përpara.
Fatjoni do të kujtohet për talentin, përkushtimin dhe pasionin e tij për futbollin, si dhe për respektin që gëzonte tek të gjithë ata që e njohën.Ngushëllimet më të sinqerta familjes Bunjaku, të afërmve, miqve, bashkëlojtarëve dhe klubit të Elbasanit. U prehtë në paqe shpirti i tij dhe qoftë i përjetshëm kujtimi për të’-lexohej në mesazhin e presidentit të FSHF, Duka të postuar në rrjetet sociale” Skruan Duka
KOHA JONË SONDAZH

