Futbolli shqiptar në zi, ndërron jetë futbollisti i ri Fatjon Bunjaku
Futbolli në Kosovë dhe Shqipëri është tronditur nga lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta të futbollistit të ri Fation Fatmir Bunjaku, i cili ka humbur jetën në moshën 22-vjeçare si pasojë e një aksidenti tragjik.
Lajmi është bërë i ditur fillimisht nga faqja zyrtare e fshatit Samadraxhë, e cila njoftoi me dhimbje se i riu ka ndërruar jetë gjatë natës, duke shprehur gjithashtu se detajet mbi ceremoninë e varrimit do të bëhen publike më vonë. Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitetin sportiv dhe më gjerë.
Fation Bunjaku ishte një futbollist premtues, i konsideruar si një nga talentet e brezit të tij. Gjatë karrierës së tij ai kishte qenë pjesë e disa skuadrave të futbollit në Kosovë dhe së fundmi ishte aktiv edhe në kampionatin shqiptar, ku kishte veshur fanellën e Elbasanit. Përveç karrierës në klube, ai kishte përfaqësuar edhe kombëtaren e Kosovës U-21, duke u vlerësuar për potencialin dhe aftësitë e tij në fushë.
Humbja e tij e papritur ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku klube futbolli, tifozë dhe figura të njohura të sportit kanë shprehur ngushëllime dhe kanë kujtuar kontributin e tij të shkurtër, por premtues në futboll.
Ngjarja ka sjellë një atmosferë zie në futbollin shqiptar dhe kosovar, ndërsa bashkëlojtarë, trajnerë dhe komuniteti sportiv e kanë cilësuar vdekjen e tij si një humbje të madhe për sportin dhe për të ardhmen e tij.
Familjes Bunjaku, të afërmve dhe miqve të tij u janë përcjellë mesazhe të shumta ngushëllimi në këtë moment të rëndë dhe të papritur.
KOHA JONË SONDAZH

