Futbollisti nga Zambia humb kontaktet me Leccen prej disa javësh, fati i tij është mister
Situata rreth Lameck Bandës po merr përmasa gjithnjë e më shqetësuese. Ajo që fillimisht u konsiderua si një vonesë për arsye administrative, tashmë ka kthyer vëmendjen e klubit të Lecces dhe ka ngritur pikëpyetje të mëdha për të ardhmen e sulmuesit.
Banda duhej të rikthehej në Itali më 12 korrik për të kryer vizitat rutinë mjekësore përpara nisjes së sezonit të ri, por lojtari nuk është paraqitur as në grumbullimin e skuadrës në Salento dhe as në fazën përgatitore në Austri.
Sipas shpjegimeve të dhëna fillimisht nga përfaqësuesit e tij, sulmuesi zambian ka mbetur i bllokuar në vendlindje për shkak të problemeve burokratike që lidhen me dokumentacionin dhe vizën në pasaportën e tij.
Megjithatë, Lecce ka reaguar duke kërkuar sqarime të plota për situatën. Klubi italian ka bërë të ditur përmes një komunikate zyrtare se do të verifikojë arsyet e mungesës së lojtarit dhe ka rezervuar të drejtën për të marrë masa të mëtejshme, përfshirë edhe procedura disiplinore.
Pasiguria është shtuar edhe më shumë pasi Banda është parë për herë të fundit disa ditë më parë në aeroportin e Lusakës, kryeqytetit të Zambias, ndërsa që prej atij momenti nuk ka pasur më asnjë informacion të konfirmuar për vendndodhjen e tij.
Lecce tashmë pret një shpjegim të qartë nga lojtari dhe stafi i tij, ndërsa mungesa e zgjatur e sulmuesit ka nisur të krijojë shqetësim serioz brenda klubit italian.
KOHA JONË SONDAZH

