Futbollisti serb, Mitroviç: Nuk jam penduar që ula dronin në Beograd
Disa nga futbollistët serbë me deklaratat e tyre dëmtojnë edhe më shumë atmosferën në prag të ndeshjes së Europianit.
Stefan Mitroviç, njeriu që uli donin me hartën dhe fytyrat e dy patriotëve shqiptarë, u shpreh se nuk bëhet fjalë të jetë penduar.
Lojtari i Genk para gazetarëve në Beograd theksoi se “Përsa i përket dronit, e kam thënë shumë herë më parë, do të sillesha sërish njësoj. Që nga ajo kohë nuk kam pasur probleme, ndoshta ndonjë gjë të vogël, por pa rëndësi. Me lojtarët shqiptarë që jam takuar gjatë sezonit kemi pasur marrëdhënie korrekte dhe pres që kështu të jetë edhe gjatë ndeshjes.” Lojtari i Torinos, Nenad Tomoviç sheh skenarë me provokime madje edhe në fushën e lojës. – “Sigurisht që mund të priten provokime nga lojtarët e tyre, ndoshta për shkak të saj që ndodhi në Beograd. Mendoj që ata, në ndonjë mënyrë, do të duan të hakmerren, nëse mund ta quajmë kështu. Ndoshta mund të ketë provokime edhe nga jashtë fushe, që të na nervozojnë, por ne duhet të ruajmë qetësinë”. Luka Milivojeviç ka kaq shumë besim tek Serbia saqë mendon se mund ta zgjidhë ndeshjen shumë shpejt. – "Mendoj që realisht ne jemi kombëtare më e mirë sesa ata. Duhet të hyjmë në fushë siç duhet. Nëse e bëjmë këtë gjë, mund të zgjidhim shumë gjëra që në 20 minutat e para të takimit. Fitorja do të kishte shumë rëndësi për ne si lojtarë, për kombin tonë. Fitorja është gjëja që dua më shumë, në radhë të parë për kombin.” Më herët, portieri i Serbisë, Stojkoviç, ishte shprehur se nuk trembet nëse shqiptarët shkaktojnë probleme në rast të një rezultati negativ.
KOHA JONË SONDAZH

