Gafa ndaj Realit, Josep Martínez kërkon falje: Marr përgjegjësitë e mia!
Josep Martínez ishte një nga protagonistët e sfidës mes Real Madridit dhe Interit në Ligën e Kampioneve, por për fatin e tij jo vetëm për pritjet spektakolare.
Portieri i Interit bëri një gabim të rëndë në largimin e topit, duke i dhënë mundësinë Real Madridit të shënonte golin e dytë me Federico Valverden. Një moment që ndikoi në rezultatin e takimit, por që nuk e rrëzoi portierin spanjoll.
Në pjesën e dytë, Martínez reagoi në mënyrë të jashtëzakonshme. Me disa ndërhyrje vendimtare, ai u mohoi madrilenëve gola të tjerë dhe shmangu një humbje edhe më të thellë për Interin, duke mbajtur skuadrën e tij në lojë deri në fund.
Pas ndeshjes, portieri vendosi të reagojë edhe në rrjetet sociale, ku pranoi përgjegjësinë për gabimin dhe kërkoi falje për tifozët zikaltër.
“Nuk ka asnjë rrugëtim që nuk shoqërohet me rrëzime apo gabime, aq më tepër në futboll, ashtu si edhe në jetë. Të marrësh veten në një moment vështirësie si ai i djeshmi të ndërton një personalitet të fortë, që të shërben për të mbrojtur këto ngjyra.
Unë marr përgjegjësitë e mia te goli i dytë. Nuk mund të pësojmë dy gola në atë mënyrë kur përballesh me një ekip si Real Madridi, që nuk të fal gabimet.
Të gjithë ndjejmë keqardhje, pasi mendoj se ekipi bëri një paraqitje të madhe dhe meritonte të merrte me vete në Milano një rezultat pozitiv.
Mësohet, rritesh, përpiqesh të përmirësohesh dhe sheh përpara. Por gjithmonë së bashku.”
KOHA JONË SONDAZH

