Gareth Bale në shënjestrën e Bayern Mynih
Mediat britanike zbulojnë lëvizjet e fundit të Bayern Mynih, në merkato duke publikuar një lajm që mund të trazojë tregun e shitblerjes së futbollistëve në Europë.
Gareth Bale është vënë në shënjestër nga drejtuesit e klubit gjerman, të cilët synojnë të forcojnë repartin e avancuar edhe pse zgjedhjet në dispozicion të Guardiolës janë të bollshme. I transferuar te Reali i Madridit në vitin 2013, uellsiani nuk i ka justifikuar asnjëherë 91 milionë eurot e paguara për të në llogarinë e Tottenhamit dhe në këtë mënyrë klubi “Los Blancos” nuk e mbyll derën e një largimi të mundshëm. Sipas portalit gjerman “Sportal.De” që citon tabloidin “Daily Mirror”, Bayerni i Mynihut ka dhënë sinjale në drejtim të uellsianit.
Nëse hyjnë në garë, kampionët e Gjermanisë duhet të bëjnë llogaritë me Manchester United dhe milionat që Van Gaal ka llogaritur për të shkëputur britanikun nga Madridi. Anglezët tentuan ta finalizonin blerjen e uellsianit që në merkaton e verës, por Florentino Perez bëri një hap pas duke kërkuar t’i jepte dhe një shans që mesa duket Bale nuk po e shfrytëzon. Në këtë mënyrë, ky mund të jetë sezoni i fundit për ish sulmuesin e Tottenhamit, i cili do të marrë vendimin final për destinacionin që dëshiron të ndjekë. Këtë betejë Bayern mund ta fitojë vetëm nëse do të jetë lojtari që do të kërkojë skuadrën gjermane, pasi përballë milionave të premtuara nga Manchester United, klubi gjerman mund të dorëzohet.
KOHA JONË SONDAZH

