Gaz Demi: Pro bojkotit, qeveria mund t’i zgjidhë për 1 orë 4 kërkesat

Në datën 12 shtator Kategoria Superiore do të duhet të ngrinte siparin për sezonin e ri futbollistik 2020-2021, por kur kanë kaluar më shumë se dy javë, nuk ka ende një dritë jeshile se kur do të startojë futbolli shqiptar.

Katër kërkesat e ngritura nga Liga ende nuk kanë marrë miratimin e qeverisë për tu zgjidhur, ndërkohë që negociatori i caktuar nga kryeministri Edi Rama, Fidel Ylli, shihet me skepticizëm nga ana presidentëve, si personi që mund t’i jap zgjidhje kësaj situate.

Për herë të parë, presidenti i Partizanit Gaz Demi që është dhe një nga përfaqësuesit e Ligës, në një prononcim për gazetën “Tema” ka dhënë detaje nga takimi i së hënës, pse qeveria duhet t’i miratojë katër pikat e ngritura nga Liga dhe është pro apo kundër bojkotit.

“Është  e vërtetë që ka qenë një mbledhje konstruktive, ka qenë një takim i lënë nga Liga në mbledhjen e fundit që është zhvilluar. Ka qenë një takim konstruktiv, serioz, korrekt. Ardhja e përfaqësuesit të qeverisë Fidel Ylli është një mbështetje më e madhe për sportin, pasi ne e dimë që Fideli është një njeri i sportit dhe nuk mendojmë që do e përdori politikisht, për përfitime politike. Fideli ka dhënë një opinion të vetin, por tek e fundit vendimet i merr Liga. Opinioni i Fidelit dhe gjate bisedimeve në tavolinë me gjithë anëtarët që ne me tavolinë mund të zgjidhim shumë gjera.

Tani, kjo nuk është një histori e sotme, por prej një viti, që ato kërkesa që kemi bërë janë një minimum, sepse janë bërë më shumë në takimin e parë ku i pranishëm ka qenë dhe kryeministri Rama. Ne diskutuam me shumë korrektesë me zotin Ylli dhe ai na mirëkuptojë, që do rrimë në qetësi këtë javë, nuk do flasim, por ama dhe ne duhet të presim diçka nga qeveria. Tani se duket sikur është bërë personale kjo puna me qeverinë. Asnjërit nga Liga nuk është se i interesojnë takimet, ne na intereson të zgjidhet ky problem madhor i joni.

Këto katër kërkesa duket sikur janë futur vetëm për futbollin. Qeveria po të ketë disa dashamirës ekonomist, e ka një sekondë aprovimin. E kuptoni që sporti nuk është thjeshtë Liga, por është edukimi i brezave dhe atje edukohen breza pasi nuk dalin të gjithë futbollista. Nga një ndërmarrje informale që është shumica e futbollit shqiptar dhe unë që quhem nga më të rregulltit, shohim që nuk ka asnjë ndihmesë. E kuptoni që është shumë turp. Kam qenë me një kolegun dhe mikun tim trajnerin Ilir Daja, ku kemi bërë një bisedë miqsh. A e dini ju që 11- fusha ka sot me 1 milion banorë Tirana. Ka pasur 11 fusha plus me 250 mijë banorë. Ndoshta jemi vendi i rrallë në botë, as Afrika asnjë vend, që kemi 1 fushë për 100 mijë banorë. Kështu që janë ca kërkesa shumë normale, pa i vendosur litarin në fyt asnjë njeriu për të cuar futbollin aty ku duhet, sepse ju e dini se si politika afrohet me futbollin.

Jo më shumë se para disa vitesh, futbolli jonë pati sukses dhe shkoi në Europian dhe kryeministri jonë i nderuar shkeli rregullat dhe u dha pasaporta diplomatike, jashtë normaliteti. Tani ne nuk mund të gëzohemi me futbollin vetëm kur ka suksese. Ne duhet që ta ndihmojmë futbollin që të ketë gjithmonë suksese, dhe për të pasur suksese duhen të vendosen disa rregulla dhe ligje.

Ca investohet në futboll janë vetëm viktima të këtyre viteve. As unë nuk flas dot se u bëra vite, por ka raste që nuk paguaj dot as qefin tim personal sepse lekët mi ka marrë futbolli. Kështu që kjo punë duhet parë me seriozitet, meqenëse dhe Fideli thotë se është serioze dhe une e besoj, kjo është pesë minuta punë. Çohen në Komisionin e Ekonomisë pasi të gjitha janë të shqyrtuara me ekspertë. Në qoftëse  kryeministri jonë do të dëgjojë pseudo-ekspertët e vet që janë ca servila në forma të ndryshme, atëherë kjo punë nuk do të bëhet asnjëherë. Por, dhe ne s’kemi ça bëjmë më shumë, nuk kemi çfarë humbim, prandaj kemi marrë këtë vendimin e fundit sepse ka qenë përpara 1 viti që ne të mos luanim. Presidenti i Federatës, meqenëse ishte ai si koordinatori jonë e mori përsipër për të zgjidhur këto probleme, por nuk u zgjidhën. Tani nuk mund të zgjidhim vetëm kur kemi nevojë për politikë, lë ta zgjidhim për brezat e rinj.

Pro apo kundër bojkotit? Në karakterin tim nuk jam ekstremist. Kjo lëvizje është bërë sepse ka ardhur aty ku nuk mban më litari, jam bashkë me ta për lënien e futbollit, lënien e topit dhe lënien e edukimit. Se duke lënë topin, lihet dhe edukimi sepse ndeshjet janë ato që rrisin nivelin. Nuk jam ekstremist për këto gjera, por janë disa gjëra që i kërkojmë minimale që mund të zgjidhen. Dhe në qoftë se siç na tha i deleguari i kryeministrit, i parlamentit që dhe unë fatmirësisht e kam mik dhe kam të drejtë ta besoj, siç kanë të drejtë dhe të tjerët të mos ta besojnë sepse u bë një kohë e gjatë që asnjë gjë nuk bëhet. Prandaj jam plotësisht dakord me bojkotin për momentin. Por, jo bojkot pafund sepse po të duan për një orë e zgjidhin dhe e dimë shumë mirë që si i zgjidh kryeministri Rama kur do”, deklaroi numri një i Partizanit.

 

 

SHKARKO APP