Gega: Ky nuk është Partizani im, i janë prekur themelet!
Ishte arkitekti i Partizanit kampion të vitit të kaluar, por, çuditërisht ndërpreu marrëdhëniet me klubin pasi nuk gjeti gjuhën e përbashkët me drejtuesit e kuq për të vijuar projektin. Në një intervistë të dhënë për “SuperSport” strategu i njohur e pranon se ky Partizanin nuk ka aspak lidhje me atë të sezonit të kaluar.
“Ky ekip nuk është imi, nuk është imi për dy arsye të rëndësishme dhe thelbësore. Unë nuk jam trajner e përderisa nuk jam trajner, nuk kam asnjë lloj përgjegjësie dhe asnjë lloj merite. Jo për ta anashkaluar dhe për të dalë i larë, por me dëshirën e mirë për të parë që Partizani të shkojë më mirë.
Unë besoj dhe jam shumë i sigurt që u gabua që u prekën themelet e asaj që ishte ndërtuar. Në konceptin tim, e shoh një ekip futbolli si një shtëpi që ndërtohet pa hile, ndërtohen me themele të forta ose me kolona të forta. Është e vërtetë dhe statistikat flasin: u prish ai ekuilibër, ajo mënyrë loje.
U prish sepse është e drejta e trajnerëve që kur vijnë kanë filozofinë e tyre, shprehin garanci për ata që sjellin. Se sa në gjendje kanë qenë për t’i njohur me shpejt lojtarët nuk e di, por statistikat flasin. Nuk ka lidhje ekipi që kishim me performancën që ne kishim me atë ekip.”