Gianni De Biasi i “hapur” për zviceranët: Si po ju presim në Paris!
Rivalët e Shqipërisë “zbëthejnë” trajnerin e kombëtares sonë, Gianni De Biasi. Trajneri i kuqezinjve ka dhënë një intervistë mjaft interesante për të përditshmen zvicerane “Blick”.
De Biasi zbulon se grumbullimi i Shqipërisë para Europianit do të jetë në Graz të Austrisë, ndërsa i ka mbyllur dyert e Kombëtares Shani Tarashajt.
Në interesin e zviceranëve qëndron shorti me Përfaqësuesen e drejtuar nga Petkoviç. Në fakt pyetja e parë për trajnerin e Shqipërisë është nëse u elektrizua edhe ai si gjithë Zvicra kur nga goglat e shortit në Paris, doli emri i përfaqësueses helvete.
“Jo, unë mendova: Oh jo! Kjo pasi nuk e prisnim. Kishim folur një ditë më parë mbi faktin se kjo do të ishte një ndeshje e çuditshme mes kaq shumë shqiptarësh. Do të ishte më mirë ta evitonim”
Perceptimi i De Biasit mbi reagimin e shqiptarëve në lidhje me këtë short.
“Për shumë shqiptarë, kjo ndeshje është e veçantë, pasi në kampin tjetër luajnë shumë futbollistë që konsiderohen si “tradhtarë”, pasi vendosën të luajnë për një vend tjetër pavarësisht origjinës shqiptare. Unë gjithmonë kam theksuar se çdokush duhet të jetë i lirë të zgjedhë vendin që mendon se është më i mirë për të. Ai vend i ka pritur dhe i ka dhënë punë prindërve të tyre, kanë kaluar fëmijërinë aty dhe janë integruar, ndaj ndihen zviceranë ndonjëherë, edhe pse në zemër ata do të mbeten gjithmonë shqiptarë.”
I pyetur se sa lojtarë që janë rritur në Zvicër do të ketë në skuadrën që do të luajë në Francë, De Biasi i përgjigjet katër apo pesë, por zviceranët pretendojnë se janë 7 lojtarë të rritur në vendin e tyre duke i treguar formacionin e Shqipërisë publikuar nga L’Equipe.
De Biasi shprehet me një batutë inteligjente se formacionin e bën ai dhe jo e përditshmja franceze duke saktësuar diçka me interes për shqiptarët, se Arlind Ajeti nuk është një titullar i rregullt i formacionit tip e po ashtu dhe Aliji dhe lojtarët që ai shikon në pozicionet e tyre, duke nënkuptuar këtu Mavrajn dhe Agollin, asnjëri nuk është rritur në Zvicër, ndërsa e njëjta gjë vlen edhe për sulmin ku përmendet Gashi. Në Zvicër duan të shohin se çfarë kanë lojtarët më për zemër lojtarët që luajnë për Pektoviç, kryqin apo shqipen dykrenare, por De Biasi i eviton diskutime të tilla duke u shprehur se ata që kanë zgjedhur Zvicrën do të bëjnë gjithçka për të fituar. Kur zviceranët i kujtojnë se ka diskutime në lidhje me lojtarët e lindur në një vend dhe ata që vijnë nga emigracioni, duke u shprehur se në Zvicër flitet se mund të ketë përçarje qëndrimi i De Biasit është mjaft i qartë
“Kjo nuk është një çështje që ka të bëjë me Shqipërinë. Zvicra ka lojtarë që nuk janë me origjinë zvicerane. Ju keni edhe një Amerikano Jugor, Rodriguez, apo Inler për shembull. Familjet e tyre kanë ardhur këtu dhe fëmijët e tyre duke luajtur futboll kanë patur më shumë uri se të tjerët”.
Në Zvicër ka patur polemika në lidhje me lojtarët që kanë simbolin e shqiponjës dykrenare në këpucë, si për shembull Granit Xhaka apo Pajtim Kasami, por De Biasi thotë se kjo është diçka normale pasi ata thjesht duan të tregojnë se janë Shqiptarë ose të paktën rrënjët e tyre janë të tilla. Por a ndihet De Biasi një misionar i çështjes shqiptare kur bisedon një lojtar që është rritur në Zvicër dhe ende nuk ka vendosur se me cilën Kombëtare do të luajë?
“Le të themi kështu. Ne kemi provuar të flasim me lojtarë që mund të jenë interesantë për ne, por nuk janë 100% për Zvicrën. Ne e bëjmë këtë vetëm nëse nuk ngjallim armiqësi me Zvicrën apo me UEFA-n. Kështu që ne e kemi bërë këtë, por gjithmonë pa shqetësuar askënd”.
Për momentin ka një çështje të hapur, Shani Tarashaj, por De Biasi shprehet prerë.
“Kam folur me të. Më ka thënë se nuk donte të mendonte për diçka të tillë për momentin, kështu që kjo çështje për mua është e mbyllur. Nëse dikush nuk tregon menjëherë dëshirë, ai nuk më intereson më”.
I habitur gazetari zviceran e pyet edhe një herë se nëse dera për Tarashajn mbetet e hapur në Kombëtaren Shqiptare?
“Jo! Për sa kohë unë jam trajner. Më parë duhet të vijë një trajner tjetër që të jetë i interesuar për Tarashaj. Kur nisa me Shqipërinë katër vjet më parë, kontaktova me disa lojtarë. Kur e ndjeva se kishin vërtet dëshirë i morra me kënaqësi. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Kam një grup lojtarësh që përshtaten, dhe nuk do ta zgjeroj,” – theksoi de Biasi.
Në Zvicër ka kuriozitet për nacionalizmin me të cilin është përjetuar sfida mes Serbisë dhe Shqipërisë dhe de Biasi përpiqet t’u shpjegojë se për ta si europianë është vështirë të kuptojnë ndjesitë kur janë ende të freskëta plagët e luftës në Kosovë ku madje disa futbollistë kanë humbur të afërmit e tyre në luftën për liri të Kosovës, ndaj është thuajse e pamundur që një ndeshje ndaj Serbisë të luhet në të njëjtën atmosferë si ndaj Zvicrës.
Për shembull, kur i kujtojnë se për këtë arsye është bërë Taulant Xhaka një hero pasi mbrojti flamurin në Beograd, De Biasi thotë po, “por Xhaka nuk ishte i vetëm.”
KOHA JONË SONDAZH

