Giroud: Në 2020 refuzova Juventusin, tani nuk u besoj shumë atyre
Olivier Giroud ka dhënë një intervistë të gjatë për Corriere dello Sport duke komentuar më shumë super ndeshjen e fundjavës kundër Juventusit. Futbollisti francez zbuloi se dy vite më parë kishte refuzuar ofertën e bardhezinjve.
“Pas humbjes të hënën, ne filluam të shikojmë përpara përsëri. Sigurisht që kemi analizuar gabimet e bëra për t’u përmirësuar edhe më shumë, por në futboll pas një rezultati negativ nuk mund të viktimizohesh, duhet të kthesh faqen dhe të fillosh menjëherë ringritjen. Tani, përqendrimi maksimal është te Juventusi. Do të jetë një ndeshje e bukur dhe na duhet një paraqitje më e mirë se ajo kundër Spezias.
Ata nuk e nisën mirë kampionatin, por kjo nuk do të thotë se nuk janë të fortë. E pranoj se prisja t’i shihja ata në garë për Scudetton sepse Juventusi është gjithmonë Juventus. Ndoshta kanë paguar dëmtimet e shumta, por për nga cilësia dhe sasia janë ndër më të mirët në Itali. Kjo është arsyeja pse unë nuk i besoj Juventusit. Është në një moment të mirë dhe ne do të duhet ta përballojmë atë në mënyrën e duhur.
Ofertë nga Juvja? Po, ndodhi në verën e vitit 2020, me Pirlon si trajner, por unë preferova të qëndroja te Chelsea ku doja të luaja shanset e mia. Duke pasur parasysh se si përfundoi sezoni, mora vendimin e duhur”, u shpreh Olivier Giroud.