Gjimshiti i jep lamtumirën Atalantës: Do të jetë gjithmonë në zemrën time!

Berat Gjimshiti ka mbyllur një nga kapitujt më të rëndësishëm të karrierës së tij. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare është larguar përfundimisht nga Atalanta dhe do të vijojë karrierën në Arabinë Saudite, te Al-Diriya. Transferimi është realizuar për 3 milionë euro, ndërsa Gjimshiti ka firmosur një kontratë dyvjeçare, me një pagë prej 3 milionë eurosh në sezon. Pas tetë vitesh e gjysmë në Bergamo, mbrojtësi shqiptar i ka dhënë lamtumirën klubit italian me një mesazh emocionues të publikuar në rrjetet sociale.

“Sot nis një kapitull i ri. Por ka vende që nuk i lë kurrë vërtet. Mund të largohesh nga një skuadër. Mund të largohesh nga një qytet. Por një shtëpi e merr gjithmonë me vete në zemër”, shkruan Gjimshiti.

Futbollisti shqiptar mbërriti në Bergamo një dekadë më parë si një lojtar i ri, ndërsa me kalimin e viteve u shndërrua në një prej figurave më të rëndësishme të Atalantës.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Erdha në Bergamo dhjetë vjet më parë si një futbollist i ri, me një ëndërr dhe shumë dëshirë për të treguar vlerat e mia. Sot largohem duke e ditur se ky vend më ka dhënë shumë më tepër se futbolli. Këtu u rrita si lojtar, si burrë dhe si baba. Këtu u rrit edhe familja ime. Bergamo u bë shtëpia ime dhe Atalanta është shumë më tepër se një skuadër”, vijon ai.

Swiss Digital Mobile Reklama

Gjatë aventurës së tij me klubin bergamask, Gjimshiti regjistroi 334 ndeshje, duke u bërë lojtari i katërt me më shumë paraqitje në historinë e Atalantës, pas Marten de Roon (445), Gianpaolo Bellinit (435) dhe Mario Pašalićit (344).

Momenti kulmor i kësaj periudhe ishte padyshim triumfi në Europa League në vitin 2024, një trofe historik për klubin italian.

“Këto dhjetë vite i kemi përjetuar me fitore, humbje, net të paharrueshme dhe objektiva që ndoshta dikur vetëm mund t’i ëndërronim. Por ajo që do të marr me vete mbi të gjitha janë njerëzit”, shkruan kapiteni i Kombëtares shqiptare.

Gjimshiti nuk ka harruar të falënderojë shokët e skuadrës, trajnerët, stafin, familjen Percassi dhe tifozët e Atalantës.

“Faleminderit për besimin, mbështetjen, për faktin që luftuat bashkë me ne dhe që më bëtë mua dhe familjen time të ndiheshim pjesë e diçkaje të veçantë”, shprehet ai.

Në fund, Gjimshiti thekson se gjithçka që Atalanta ka arritur gjatë këtyre viteve është ndërtuar përmes punës dhe sakrificës.

“Asgjë nga ato që kemi arritur nuk na është dhuruar. E kemi ndërtuar së bashku, me punë, sakrificë, disiplinë, zemër dhe atë mentalitet që e lidh kaq fort Atalantën me qytetin e saj. Faleminderit për gjithçka, Bergamo. Faleminderit për gjithçka, Atalanta. Përgjithmonë në zemër”, përfundon mesazhi i Berat Gjimshitit.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?