Gjykata gjobë klubit Tirana, të dëmshpërblehet administrata e klubit
Rëndohet bilanci financiar i klubit Tirana, në prag të sezonit të ri. Përveç gjyqeve të humbura ndër vite me disa futbollistë të papaguar, tashmë 24-herë kampionët e vendit përballen edhe me humbjen e disa çështjeve përsa i takon personave të cilët kanë qenë pjesë e administratës klubit.
Në vendimet e zbardhura, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë detyron klubin të dëmshpërblejë disa ish-punonjës.
Duke nisur nga Sajmir Stërmasi, i cili paditi klubin për pagat e prapambetura në periudhën tetor 2013 deri më 19 shkurt 2015. Gjykata vendosi që klubi bardheblu t’i paguajë ish-punonjësit mbi 370 mijë lekë të reja.
Një tjetër paditës që ka fituar rrogat e prapambetura nga 1 janari 2014 deri më 31 gusht 2014 është Bujar Luga në shumën e 320 mijë lekëve të reja.
Sipas vendimeve të zbardhura të Gjykatës, fatura rritet me ish-punonjës të tjerë.
Paditësi Astrit Kuçi fitoi çështjen kundër klubit kryeqytetas, që tashmë duhet ta dëmshpërblejë me 17 paga mujore për zgjidhjes të pajustifikuar të kontratës.
Zoti Kuçi ka fituar 11,5 muaj të tjera rroga si shpërblim për vjetërsi pune, ndërsa klubi Tirana do ti paguajë edhe pagesat e pashlyera për periudhën Janar 2014 deri më 19 Shkurt 2015.
E njëjta situatë edhe në padinë e fituar nga zonja Mimoza Qyra, që do të dëmshpërblehet me pagën e një viti pune për zgjidhje të kontratës së punës. Ish-punonjësja e administratës do të përfitojë gjithashtu pagat e papaguara të periudhës gusht 2014 deri më 19 shkurt 2015, ndërsa klubi i futbollit Tirana detyrohet t’i paguajë edhe kontributet shoqërore dhe shëndetësore, që nuk janë derdhur për 11 muaj nga Dhjetori i vitit 2013.
Me vendim gjykate, shifër të konsiderueshme përfiton edhe ish-llogaritarja e klubit Valentina Vukaj, për zgjidhje të pajustifikuar të kontratës. Bëhet fjalë për dëmshpërblim në masën e 15 rrogave mujore, shpërblim me 12.5 muaj për vjetërsinë në punë. Këtyre u shtohen 4 muaj rrogë e prapambetur nga tetori 2014 si edhe paga mujore për leje të pakryer.
Tjetër paditës që ka fituar gjyqin është ish-punonjësi Xhemal Bulku, që përfiton 16 paga për zgjidhjen e pajustifikuar të kontratës së punës, 9 paga shpërblim për vjetërsi në punë, si edhe detyrimin e pagave të prapambetura në periudhën Janar 2014 deri më 25 janar 2015.
E vetmja çështje e pushuar, ishte padia e zotit Andrea Heba ndaj klubit bardheblu, për shkak të mosparaqitjes.
Sipas vendimit, Tirana ka 15 ditë afat për të bërë ankimim në Gjykatën e Apelit.
KOHA JONË SONDAZH

