Gjyqtarët në “gijotinë”, Tirana kërkon përjashtimin e Koçit
Gjyqtarët në shënjestër. Kur garës së kampionatit po i vjen fundi, bëhet edhe më e “nxehtë” beteja për titull, për dy vendet që do të presin biletat në Europa League, si dhe për dy ekipet që do të zbresin në një kategori më poshtë. Fitorja e Bylis në Laç, 1-0, ka tronditur Vllazninë, që humbi në Vlorë dhe nuk e sheh aq të sigurt mbijetesën. Në garë për titull, Skënderbeu fitoi ndaj Tiranës minimalisht 1-0 dhe po me këtë rezultat triumfoi Partizani ndaj Kukësit. Diferenca mes kampionëve në fuqi dhe të kuqve mbetet 4 pikë, por fitoret e tyre kanë distancuar edhe më tepër nga gara për titull ndonjë ekip tjetër pretendent si Tirana dhe Kukësi. Teuta fitoi ndaj Tërbunit 2-1 dhe ka ashpëruar garën për një vend në Kupat e Europës me ekipet e tjera që humbën ndeshjet e javës së 22-të në Kategorinë, Kategorinë Superiore, si Tirana, Kukësi dhe Laçi. Verdikti i vetëm, ndonëse ende jo matematikisht, deri tani është rënia në një kategori më poshtë e Tërbunit të Pukës.
Gjykimet
Kur garës po i vjen fundit, pas çdo jave që kalon, çdo gabim nuk falet më asnjë skuadre për të korrigjuar gabimet. Por ndodh që një skuadër humb edhe gabim të gjyqtarit. Java e fundit duket se ka qenë edhe më problematike. Gabimet e tyre sa vijnë dhe dalin më në pah, por bëhen edhe më shqetësuese për klubet që e pësojnë, të cilat kërkojnë dënime më të ashpra nga FSHF. Bylisi u ankua për Kridens Metën në Laç, edhe pse fitoi. Trajneri i Kukësit, Klodian Duro akuzoi gjyqtarin Pashaj me shokë në “Qemal Stafa”, pas humbjes me Partizanin, por më i kritikuar mbetet gjyqtari durrsak, Andi Koçi. Ai gjykoi takimin Skënderbeu-Tirana, që përfundoi 1-0 në favor të juglindorëve. Edhe korçarët, që përfituan nga gjykimi i tij i njëanshëm, pranuan se Tiranës nuk iu dha një penallti, në momentin kur Gilman Lika u pengua dukshëm në mënyrë të gabuar, në zonën e portës së Skënderbeut. Mirel Josa dhe Orges Shehi e kishin parë aksionin më mirë se Andi Koçi, edhe pse ky i fundit ishte fare pranë tij. Gjyqtari Andi Koçi e ka drejtuar shpeshherë Skënderbeun, edhe ndaj Tiranës i njëjti gjyqtar bëri shumë gabime në ndeshjen Skënderbeu-Partizani, 1-0.
Reagimi
Në faqen e vet zyrtare “Facebook”, klubi “Tirana” dënon ashpër gjykimin e fundit në Korçë nga gjyqtari Andi Koçi dhe i kërkon FSHF-së që të marrë masa të menjëhershme. – “Dy episode përcaktuan rezultatin e ndeshjes. Histori që përsëritet turpshëm.” Shefi i klubit Devi Muka i kërkoi më pas FSHF-së që gjyqtari duhet pezullohet nga Superiorja dhe shtoi se Tirana nuk pranon as Jorgjin në ndeshjet e saj. – “Vendimet arbitrare, të qëllimshme, tendencioze, dëmtuan jo vetëm sportivisht klubin, skuadrën dhe tifozerinë e Tiranës. Gjyqtari Andi Koçi përcaktoi rezultatin e ndeshjes me dy vendime të turpshme. Në mënyrë të përsëritur, Tirana penalizohet qëllimisht në përballjet me Skënderbeun. Në katër ndeshjet e fundit, në dy raste gjyqtari Andi Koçi dhe në dy raste gjyqtari Enea Jorgji kanë përcaktuar rezultatin e ndeshjes”. Klubi 24 herë kampion nuk është mjaftuar vetëm me evidentimin e rasteve ku janë penalizuar nga vendimet e xhaketave të zeza. Muka shkon edhe më tej, duke folur për hapat që do të ndjekë Tirana kundër gjyqtarëve. – “Tirana kërkon zyrtarisht pranë FSHF-së përjashtimin përgjithmonë nga futbolli të gjyqtarit Andi Koçi, do të kërkojë që gjyqtari Enea Jorgji të mos drejtojë më në ndeshjet e Tiranës, si edhe do të kërkojë që takimet e radhës me Skënderbeun të drejtohen nga gjyqtar të huaj”.
KOHA JONË SONDAZH

