Goditja e Smajlit, pritet dënimi i fushës së Laçit, “jo” 3-pikëshi i Kukësit në tavolinë
Goditja e Smajlit, pritet dënimi i fushës së Laçit, “jo” 3-pikëshi i Kukësit në tavolinë
Ndeshja problematike e javës së 21-të, në Kategorinë Superiore, mes Laçit dhe Kukësit, do të jetë në qendër të vendimeve të Komisionit të Disiplinës në FSHF. Goditja e mbrojtësit të kampionëve të dimrit Dritan Smajli nga ana e publikut vendas dhe ankimi i i Kukësit, që kërkon tre pikët në tavolinë, do të merren në diskutim nga disiplina, gjatë ditës së nesërme. Bazuar në Kodin e Disiplinës Sportive dhe të dhënave, pritet të dënohet fusha e Laçit, por Kukësi nuk ka shanse të marrë pikët në tavolinë dhe të ndryshohet rezultati përfundimtar, 2-1 në favor të vendasve. Neni 66 i Kodit të Disiplinës Sportive flet qartë se në një rast të tillë është vështirë të ndryshojë rezultati teknik i ndeshjes. Më saktë pika 3 e këtij neni dhe paragrafi b tregojnë dënimin që mund të marrë skuadra e Laçit, mbi këtë ngjarje. Në rastin e hedhjes së mjeteve ndezëse, hedhjes së fishekzjarrëve, hedhjes së gurëve ose sendeve të tjera brenda rrethimit të fushës së lojës, duke shkaktuar akte të dhunës ose ndërprerje të përkohshme të lojës, sanksionohen me ndalimin e zhvillimit të ndeshjes në stadiumin përkatës për jo më pak se 4 (katër) ndeshje pa spektatorë. Bazuar në këtë pikë të nenit 66 të Kodit të Disiplinës Sportive, pritet që fusha e Laçit të dënohet me zhvillimin e ndeshjeve në shtëpi pa spektatorë për të paktën 4 sfidat e ardhshme.
Ngjarja, kur u godit Dritan Smajli në Laç
Në minutën e 47-të, mbrojtësi i Kukësit, Dritan Smajli, në një rivënieje anësore në krahun e djathtë të sulmit, afër tribunës ku ishin të pozicionuar ultrasit e Laçi, është goditur me një flakadanë në pjesën e qafës dhe të kokës. Menjëherë lojtari shtrihet në tokë dhe në këtë moment, në drejtim të tij vjen një çadër dhe gurë pa fund. Lojtarët e të dyja skuadrave grumbullohen në atë pjesë të fushës, në një kohë që tifozët hedhin sende të forta. Gjyqtari Jorgji ndërpret ndeshjen dhe menjëherë merr çadrën e hedhur në fushë për ta çuar te delegatit, si provë e asaj që ndodhi. Smajli nuk është në gjendje të vazhdojë lojën dhe merr menjëherë ndihmën e stafit mjekësor. Arbitri vendos që loja të vijojë normalisht, edhe pse fusha ishte mbushur me sende të forta, duke filluar nga gurët, çakmakët, çadrat e deri te monedhat e celularët. Në momentin e incidentit, takimi ishte në shifrat 1-1. Më pas Laçi përmbysi shifrat, dhe fitoi 2-1.
Pretendimet e presidentit të Kukësit, Safet Gjici
Presidenti i Kukësit dhe njëkohësisht kreu i qarkut të Kukësit, thotë se e ndoqi ndeshjen pa shoqërinë e homologut të tij, Pashk Laska, pasi ky i fundit rrinte te tifozët, futej në dhomat e zhveshjes, ose u bënte presion gjyqtarëve, duke e akuzuar atë direkt si dirigjent të dhunës, madje pretendon se e fitoi edhe me armë ndeshjen e fundit ndaj Kukësit. – “Ajo që ndodhi në Laç, vetëm futboll nuk ishte, por luftë me banda. Ne kemi shkuar atje të luajmë futboll dhe jo të bëjmë luftë. Lojtari ynë, Smajli, është goditur gjatë gjithë kohës me gurë e me sende të forta. Ai arbitër, kur pa lojtarin të gjakosur, si nuk e ndërpreu ndeshjen?! Çfarë arbitri është ky, çfarë pret ai që lojtari të vdesë në fushë, ta varrosim aty?! Nuk është futboll ky! Një si Pashk Laska, (presidenti i Laçit) që duhet të ishte përjashtuar nga futbolli, kështu mund të fitojë, me dhunë, me armë dhe kallash. Lojtari ynë është çarë dhe është transportuar në Spitalin Ushtarak në gjendje të rënduar, ndërsa ndeshja nuk u ndërpre. I kërkuam delegatit dhe arbitrit ta bënin një gjë të tillë, por atyre u ka shkuar Pashk Laska dhe u ka bërë presion për të ndërruar procesverbalet. I dërgova “sms” edhe presidentit të FSHF-së, Duka, madje mora edhe Tahir Kastratin, duke i thënë se nesër (sot) do të sjellim provat. Ndeshja është parë direkt në televizor dhe të gjithë e dinë se çfarë ndodhi. Djali i tij (Pashk Laskës), së bashku me një polic, kanë marr kasetën e ndeshjes me dhunë. Do të kërkojmë dhe për këtë, ta gjejnë policin kush është dhe të dënohet. Në vend që të shkonte të kapte ata që goditën Smajlin, polici shkoi të marrte kasetën. Nuk është futboll ky, kjo është luftë! Ne e kishim fituar ndeshjen, bëmë golin dhe gjatë kësaj kohe tifozët po gjuanin me shishe. Pastaj kur e panë që nuk e fitonin dot ndeshjen, shkoi Laska te delegati dhe arbitri duke i bërë presion. Ky është i vetmi president që nuk rri në tribunë. Si ka mundësi që ky president nuk rri në vendin e vet, por shkon sa andej e sa këtej nëpër delegatë e arbitra, duke u bërë presion?! Çfarë presidenti është ky, çfarë futbolli është ky?!” – theksoi Safet Gjici. Kukësi pas ngjarjes kërkon tre pikët në tavolinë, ndërkohë që Komisioni i Disiplinës në FSHF do të mblidhet nesër dhe të mërkurën do të jepet verdikti final. – “Në mënyrën më absolute do të kërkojmë trepikëshin në tavolinë dhe gjithashtu dënimin e ekipit të Laçit dhe vënien përpara drejtësisë të organizatorëve. Do të bëjmë kallëzim penal për autorët e ngjarjes. Nga ana tjetër, mund të themi se policia nuk ka bërë detyrën e vet. Ka lejuar tifozët me gurë, me shishe, me çadra dhe me sende e mjete të forta, duke mos i kontrolluar. Ne prandaj kemi kërkuar forca policore shtesë, për këto arsye, që të kontrollojnë një për një tifozët, pasi u pa që aty do të kishte probleme ndeshja. Tani, nëse ky arbitër priste që lojtari të vdiste në fushë, në bazë të rregullores, duhet të ndërpriste ndeshjen në momentin që u godit Smajli. Ai u gjakos rëndë me çadër dhe imagjino nëse ajo do ta kapte në sy. I është kërkuar arbitrit nga trajneri dhe nga drejtori teknik që të ndërpriste ndeshjen, por ai nuk e bëri një gjë të tillë nga frika. Jorgji e bëri këtë, sepse në Laç nuk luhet futboll, por bëhet luftë. Kjo është logjika në Laç, për të fituar duhet dhunë. Nuk kanë faj lojtarët, ata kanë ardhur për të luajtur futboll”, shprehet Gjici. Pse ndodhin incidente, në një ndeshje futbolli? – “Arsyet pse ndodhi e gjithë kjo, i di vetëm presidenti i Laçit, unë nuk i di. Skuadra ka shkuar në Laç të luajë futboll. Ai (Laska) e pa që Kukësi po fitonte, e pastaj filloi dhuna. Të fitonte më i miri, por kur e panë që nuk na dilnin dot me lojë, çfarë bëri: dhunë, goditje lojtari, sharje, presion arbitrit, ndërhyrje të rënda në fushë. Policia ka qenë aty, kamerat i kanë të gjitha faktet, e pa gjithë Shqipëria çfarë u bë. Të luhet futboll tamam, ne i mundim, por jo me luftë, me sende të forta, me grushte apo me armë, ça nuk ishte futur në stadium”, përfundoi Gjici, i cili njëherësh është edhe në postin e prefektit të Kukësit.
Pretendimet e trajnerit të Laçit, Armando Cungu
Armando Cungu dënoi incidentin e ndodhur gjatë ndeshjes me Kukësin, por thotë se ai episod nuk mund të ndikojë në rezultatin e ndeshjes: “Incidenti që ndodhi nuk ishte një gjë e mirë dhe unë jam kundër këtyre. E respektoj shumë tifozërinë e Laçit dhe nuk e kuptoj një sjellje të tillë. Tifozëria duhet të mbështesë skuadrën dhe nuk duhet të merret me asgjë tjetër. Sa i përket asaj që u luajt në fushë, mendoj se Laçi tregoi që tabela e klasifikimit nuk është shumë reale. Ne e dominuam lojën, madje edhe në momentin që pësuam gol nuk u demoralizuam. Ne pretendimet i kemi pasur që në fillim, por për të qenë realë edhe ekipi ynë ka problematikat e tij. Kishim kohë që ishim përgatitur për këtë takim mjaft të rëndësishëm për ecurinë tonë, duke qenë se luanim në shtëpi. Duke parë që kishim disa ndeshje që nuk arrinim të merrnim tri pikët, e kishim vlerësuar mjaft Kukësin dhe synimi ynë ishte marrja e fitores. E filluam mjaft mirë, ku patëm disa raste në fillim, por Kukësi e mori veten dhe për disa minuta na e bëri të vështirë, e për pasojë arritëm të pësonim golin e disavantazhit. Megjithatë, djemtë rritën presionin për ta barazuar takimin dhe gjithçka u realizua. Në pjesën e dytë arritëm të krijonim mjaft raste për shënim dhe goli erdhi shumë shpejt. Duke parë që ndeshja shkoi 2-1 për ne, Kukësi doli përpara për të barazuar dhe la mjaft hapësira mbrapa që nuk u shfrytëzuan nga futbollistët e mi. Në tërësi jam mjaft i kënaqur nga paraqitja e çunave, por më vjen keq për rezultatin, pasi duhet të ishte shumë më i thellë. Shpërdoruam jo pak,” theksoi Cungu.
Pretendimet e trajnerit të Kukësit, Artim Shaqiri
Trajneri i Kukësit, Artim Shaqiri, thotë se pas goditjes së Dritan Smajlit, në Laç, nuk mund të luhej më futboll dhe kjo ishte një arsye që skuadra e tij humbi ndeshjen. “Fatkeqësisht, ndodhi ajo që nuk do të doja t’i ndodhte asnjë futbollisti, pa marrë parasysh se ku luhet ndeshja. Pritej një takim korrekt, që tifozët të kënaqeshin, por jo të ndodhin kështu gjërash. Megjithatë, nuk dua të komentoj shumë, pasi nuk është puna ime që të flas për gjëra të tilla. Pas goditjes së Smajlit u detyruam të bënim disa ndryshime në ekip. Bëmë zëvendësime aty ku nuk kishim nevojë, por nuk kemi çfarë të bëjmë. Për mua në ato momente ndeshja ka mbaruar, por për këtë le të vendosë Disiplina. Duhet të ndërpritej ndeshja, por FSHF ka komision disiplinor dhe rregullore. Pas kësaj që ndodhi duhet ta fitojmë takimin në tavolinë, ashtu siç parashikon rregullorja. Të shpresojmë se do të ndodhë ashtu. Megjithatë, puna ime si trajner dhe e ndihmësve të mi, është që të analizojmë atë që ndodhi në fushë dhe të nxjerrim në pah gabimet që u bënë gjatë ndeshjes dhe të mendojmë për ndeshjen e radhës,” – theksoi Shaqiri.
Pretendimet e Arian Shetës, mbrojtës i Laçit
Në Laç luhet futboll dhe ekipi laçian është i motivuar të fitojë ndaj çdo kundërshtari. Kështu pretendon mbrojtësi i Laçit, Arian Sheta. – “Ishim të motivuar të fitonim ndeshjen me Kukësin,” – thekson Sheta. – “Në fushë ka qenë gjithçka korrekte në aspektin sportiv. Rasti i Smajlit ishte sporadik dhe ai u godit nga një karton, por u interpretua se u dëmtua rëndë nga Kukësi, madje edhe përfundimi i tij në Spitalin Ushtarak, është bërë për ta kthyer në një skandal ndeshjen. Ka pasur edhe një rast tjetër më parë, kur një lojtar e lyen me bojë të kuqe, që të interpretohej se ishte goditur dhe gjakosur në Laç,” – thotë Sheta, i sigurtë se nuk ndodhi asgjë antisportive në ndeshjen mes Laçit dhe Kukësit.
KOHA JONË SONDAZH

