Gonçalo Ramos nis aventurën te Milani, portugezi bashkohet me kuqezinjtë në Australi
Gonçalo Ramos ka nisur zyrtarisht aventurën e tij si futbollist i Milanit. Pas përfundimit të pushimeve pas Kupës së Botës, të shoqëruara edhe me ceremoninë e martesës së tij, sulmuesi portugez është bashkuar me skuadrën kuqezi në grumbullimin stërvitor që po zhvillohet në Perth të Australisë.
Ish-sulmuesi i Paris Saint-Germain mbërriti në Australi së bashku me bashkëkombësin e tij, Rafael Leão, duke u vënë menjëherë në dispozicion të stafit teknik për përgatitjet e sezonit të ri.
Ramos vjen te Milani pas një sezoni të suksesshëm, ku në muajin maj fitoi për të dytin vit radhazi trofeun e UEFA Champions League. Tashmë objektivi i tij është të jetë gati për debutimin zyrtar me fanellën kuqezi në ndeshjen e kampionatit ndaj Torinos, e planifikuar për më 23 gusht.
Mbetet për t’u parë nëse trajneri Rúben Amorim do ta aktivizojë sulmuesin portugez që në derbin miqësor ndaj Interit, i cili do të zhvillohet më 5 gusht, apo do të zgjedhë ta menaxhojë me kujdes gjendjen e tij fizike për të shmangur çdo rrezik para nisjes së sezonit.
KOHA JONË SONDAZH

