Granit Xhaka: Taulantin, dua ta kem përballë në Champions!
Më shumë se 18 milionë euro kushton Granit Xhaka, i cilësuar si deçiziv në mesfushën e skuadrës së Borussia Monchengladbach. Së fundmi, lojtari ka deklaruar se do të qëndrojë te skuadra e tij, përtej interesimit të Bayern Munich. “Megjithatë, oferta e Bayernin më nderon. Është vlerësim për mua,” thotë Graniti. Sipas “Blick” ai është kthyer në shefin e mesfushës së Gladbach, skuadër e cila këtë sezon do të luajë për herë të parë në historinë e saj në Champions League. “Të jem i sinqertë, do të doja të përballesha me Basel,” thotë Graniti. Kjo sepse më këtë ekip luan vëllai i tij, Taulanti, lojtar i kombëtares shqiptare.
Për të, Graniti vazhdon të ketë të njëjtin mendim: “Taulanti për mua do të mbetet gjithmonë shefi. Ai është vëllai im i madh dhe shembulli që unë ndjek. Kur ishim të vegjël dhe shkonim në kopësht, unë mbaja gjithmonë çelësin e shtëpisë kur prindërit nuk ishin aty. Unë gjithmonë kisha merak mos e humbisja dhe isha më i kujdesshëm se ai.”
Mesfushori tregon gjithashtu se fjala e Taulantit gjithmonë ka patur peshë për të. Në lidhje me interesimin e Bayernit, lojtari ka deklaruar së fundmi për gjermanen “Bild”: “Jam i nderuar nga interesimi që ka shprehur Bayerni, por unë tani po mendoj për skuadrën time.”
Xhaka deklaron se ka një kontratë që e lidh me Borussian deri në vitin 2019 dhe kjo do të thotë se dëshiron të qëndrojë për një kohë të gjatë te ekipi. “Për mua Borussia është një ekip i madh dhe më jep mundësinë për të bërë një hap tjetër të madh në karrierën time”, shprehet 22-vjeçari.
KOHA JONË SONDAZH

