Gruaja e Rafa Benitez ironizon Jose Mourinhon
Bashkëshortja e Rafael Benitez ka ironizuar duke thënë se bashkëshorti i saj ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës, duke ndrequr telashet e lëna të hapura nga trajneri aktual i Chelsea Jose Mourinho. Benitez është ulur në stolat e Chelsea, Inter dhe Real Madrid, atje ku ka punuar më herët Mourinho, por vetëm te Interi, trajneri spanjoll zuri menjëherë vendin e lënë bosh nga portugezi.
Në një intervistë për “La Region”, Monserrat Seara deklaroi: “Reali i Madridit është skuadra e tretë që Rafa ka drejtuar pasi më parë Mourinho ka qenë trajner. Ai ndreq lëmshet e bëra nga Jose. Nëse e mendon diçka të tillë e kupton se të dy kanë pasur fate paralele. Por nuk ka si të ndodhë ndryshe, sepse janë dy trajner të mëdhenj dhe në futboll ka shumë pak klube në lartësinë e tyre.”
Seara gjithashtu foli për jetën me atë që konsiderohet si një nga trajnerët më të përkushtuar dhe disiplinuar në botën e futbollit. “Në takim tonë të parë, Rafa më shpjegoi se çfarë ishte vendosja 4-4-2. E ka shumë të vështirë të qëndrojë jashtë botës së futbollit, – tha ajo. – Në vitin që ishte pushim, ne qëndronim në pjesën më të madhe të kohës në shtëpi, ndërsa Benitez stërviste një ekip shkolle.”
“Ishte për të qeshur, – vazhdoi bashkëshortja e trajnerit të Realit. – Ai i stërviste dhe i trajtonte fëmijët si të ishin futbollistë profesionistë. Në ndeshje e shihja të emocionuar, si të punonte me një ekip të rriturish. Ai nuk e sheh futbollin si profesion, por është pasioni më i madh që ka në jetë. Ndonjëherë e pyes për formacionin? Ai më përgjigjet që ende nuk ka vendosur. Në Liverpul e kritikonin shumë për ndryshimet e vazhdueshme në formacion. As shokët e tij të ngushtë nuk dinin asgjë se kush do të luante.”
KOHA JONË SONDAZH

