
Egnatia mori një pikë në transfertën e vështirë ndaj Aarhusit në Conference League, por kampionët e Shqipërisë kanë mbetur me peng për faktin se nuk arritën të shfrytëzonin mundësinë për të fituar. Kartoni i kuq i danezëve krijoi shpresat për një sukses të rrogozhinasve, por sfida përfundoi në barazim.
Pas ndeshjes, futbollistët e Egnatias vlerësuan pikën e marrë, por pranuan se mënyra se si rrodhën ngjarjet në fushë u la një shije të hidhur. Ildi Gruda theksoi se skuadra kishte mundësi të bënte më mirë, megjithëse e konsideron pozitiv rezultatin në një transfertë të vështirë.
“Ndeshja nuk shkoi keq, edhe pse mund të bënim më mirë, sepse kishim rastet tona. Një pikë mjafton dhe jemi të kënaqur. Ne erdhëm këtu për fitore, por një pikë do ta pranonim edhe sikur të na e garantonin para ndeshjes”, u shpreh Gruda.
Edhe mbrojtësi Elion Sota pranoi se barazimi ishte një rezultat i pranueshëm përpara takimit, por rrjedha e ndeshjes ndryshoi pritshmëritë e skuadrës shqiptare.
“Luajtëm në transfertë ndaj një kundërshtari shumë të fortë, që vitin e kaluar doli kampion në Danimarkë. Kampionati danez ka shumë nivel. Para ndeshjes do të ishim të kënaqur me një pikë, por mënyra se si shkoi ndeshja më bëri të kuptoja se ishim të zhgënjyer, si unë, ashtu edhe shokët e skuadrës”, deklaroi Sota.
