Guardiola i prish ëndrrën Italisë dhe Anglisë: Dua të zbuloj një jetë tjetër
Pep Guardiola ka bërë të qartë se nuk e sheh një rikthim të shpejtë në pankinë, pavarësisht zërave që e kanë lidhur së fundmi edhe me një aventurë të mundshme si trajner i kombëtares italiane.
Në një intervistë për kompaninë e tregtimit të kriptomonedhave OKX, trajneri katalanas foli për vendimin e tij pas largimit nga Manchester City dhe për nevojën për të marrë kohë për veten.
“Mentarisht nuk më mungon asgjë. Nuk mendoj se pas dy javësh apo një muaji do të duhet të nis gjithçka nga e para. Thjesht po përpiqem të kuptoj se si do të jetë jeta ime”, deklaroi Guardiola.
Trajneri 56-vjeçar shpjegoi se një nga arsyet kryesore që e shtynë të largohej nga futbolli aktiv ishte dëshira për t’u përkushtuar më shumë familjes.
“Dua të kujdesem pak për veten, të kaloj më shumë kohë me fëmijët e mi, me babain tim që është 95 vjeç dhe është ende këtu, me motrat dhe vëllain tim”, tha ai.
Guardiola nuk e ka përjashtuar plotësisht një rikthim në të ardhmen, por theksoi se tashmë e sheh karrierën me një tjetër perspektivë.
“Do të shohim nëse do të më mungojë dhe nëse dikush do të më kërkojë, mund të rikthehem. Në të kundërt, do të vazhdoj kështu. Nuk jam më i ri, nuk jam 35, 37 apo 40 vjeç. Tani jam 56 dhe perspektiva është ndryshe”, u shpreh tekniku spanjoll.
I konsideruar si një nga trajnerët më të suksesshëm të historisë së futbollit, Guardiola pranoi se për momentin dëshiron të provojë një kapitull të ri jashtë presionit të pankinës.
“E vetmja gjë që di të bëj është të luaj futboll ose të trajnoj. Por pse të mos përpiqem të zbuloj një jetë tjetër, të jem i lumtur dhe i plotësuar si njeri duke bërë edhe gjëra të tjera, jo vetëm ato që lidhen me futbollin?”, theksoi ai.
KOHA JONË SONDAZH

