Guardiola qartëson të ardhmen: Asnjë njoftim, do të flas me presidentin!
E ardhmja e trajnerit Pep Guardiola te Manchester City mbetet e mbuluar nga pasiguria, ndërsa burime pranë klubit kanë bërë të ditur për mediat britanike se tekniku spanjoll mund të largohet pas ndeshjes së fundit të sezonit në Premier League.
Sipas raportimeve të medias sportive britanike Sky Sports, Guardiola pritet të zhvillojë bisedime vendimtare me drejtuesit e klubit në ditët e ardhshme për të përcaktuar të ardhmen e tij. Megjithatë, Manchester City nuk ka konfirmuar asnjë largim dhe brenda klubit insistohet se ai mbetet nën kontratë deri në vitin 2027.
Pas barazimit ndaj Bournemouth, rezultat që i hapi rrugë Arsenalit drejt titullit kampion, Guardiola u tregua i rezervuar kur u pyet për të ardhmen e tij.
“Personi i parë me të cilin duhet të flitet është presidenti i klubit. Kur të përfundojë sezoni, do të bisedojmë dhe do të marrim një vendim. Jam shumë i lumtur këtu, është një klub i jashtëzakonshëm”, deklaroi trajneri spanjoll.
Guardiola theksoi se diskutimet me presidentin e klubit, Khaldoon Al Mubarak, do të zhvillohen në ditët në vijim, duke shmangur të japë një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse sfida e së dielës do të jetë ndeshja e tij e fundit në pankinën e Cityt.
Ndërkohë, raportimet sugjerojnë se klubi po përgatitet edhe për një skenar pa Guardiolën. Emri më i përfolur për ta zëvendësuar është Enzo Maresca, ish-ndihmësi i tij te Manchester City dhe pjesë e stafit në sezonin e triumfit në Champions League. Vetë Guardiola e ka cilësuar më herët Marescën si “një nga trajnerët më të mirë në botë”.
KOHA JONË SONDAZH

