Guardiola “qetëson” Interin: Nuk e rikthejmë Akanjin në janar
Manchester City do të jetë i detyruar të ndërhyjë në merkato për të përforcuar repartin mbrojtës, por Josep Guardiola ka bërë të qartë se klubi anglez nuk do të ndjekë zgjidhje të lehta apo të parashikueshme. Trajneri katalanas, gjatë një konference për shtyp, ka dhënë sinjale pozitive edhe për Interin.
“Nuk do të rikthejmë Akanjin apo Reis nga huazimet e tyre te Interi dhe Girona në janar”, deklaroi Guardiola, fjalë që janë pritur pozitivisht nga stafi teknik zikaltër.
Akanji u transferua te Interi verën e kaluar, me klubin nga Viale della Liberazione që pagoi 2 milionë euro për huazimin, ndërsa e drejta e blerjes është fiksuar në 15 milionë euro. Kjo e drejtë do të shndërrohet në detyrim në rast se Interi fiton titullin kampion.
Megjithatë, paraqitjet e mbrojtësit zviceran kanë bindur drejtuesit zikaltër se e ardhmja e tij do të jetë në Milano, pavarësisht se si do të mbyllet sezoni. Lojtari i lindur në vitin 1995 është shndërruar tashmë në një titullar të padiskutueshëm, duke luajtur me siguri si në qendër të mbrojtjes, ashtu edhe në krah me tre.
KOHA JONË SONDAZH
Si ishte viti 2025 për ju?
Results
Vota totale: 25861

