Gvozdenoviç garanton serbët: Në Shqipëri nuk do të ketë incidente
Serbi Ivan Gvozdenoviç qetëson patriotët e tij, për ndeshjen e 8 Tetorit.
Ish- kapiteni i Cverna Zvezdës, që jeton që prej 2010 në vendin tonë, jep mesazhe paqeje në një intervistë për të përditshmen “Kurir” duke tentuar të thyejë “mitin” e krijuar në “atdheun e tij” për incidente në “Elbasan Arena”. Gvozdenoviç ka luajtur për 3 skuadra shqiptare, Tiranën, Skënderbeun dhe Kukësin dhe aktualisht është ndihmës trajner te bardheblutë. Ai është një nga ata që e njeh mirë ambientin në Shqipëri dhe siguron se ndeshja Shqipëri-Serbi do të shkojë në mënyrën më të mirë pavarësisht se është etiketuar si një ndeshje me rrezikshmëri të lartë nga UEFA.
-“Nuk ka eufori në lidhje me këtë ndeshje, ose të paktën unë nuk e ndiej dicka të tillë, – shprehet Gvozdenovic duke shtuar, – Gjithçka zien rreth temës sportive dhe nuk ka arsye për t’u shqetësuar nëse gjithçka do të kalojë pa incidente,” – thekson ai.
Më pas Gvozdenoviç shpjegon se si do ta kalojë ai personalisht mbrëmjen e 8 Tetorit, duke bërë tifo për skuadrën e tij mes miqsh shqiptarë ndërsa shprehet.
-“Nuk do të shkoj në stadium, do ta shikoj ndeshjen me shokë në Tiranë. Kemi vënë bast se ai skuadra e të cilit humbet do t’i duhet të paguajë pijet. Fatura do të shkojë diku te 50 Euro, por jam i sigurt se nuk do t’i lë të marrin kusur“, – përfundon 37-vjeçari me një batutë ndërsa më pas komenton mbi nivelin e lojës më popullore në vendin tonë.
– “Futbolli në Shqipëri është në rritje si në nivel klubesh ashtu edhe për Kombëtaren, por të gjithë e dinë se Serbia ka një skuadër fantastike – evidenton Gvozdenoviç duke shtuar, – “Ajo që ndodhi në Beograd nuk duhet të përsëritet“.
Ndihmës trajneri i Tiranës e mbyll me një përshkrim për impiantin ku do të luhet ndeshja, “Elbasan Arenën” për të cilin shprehet.
“Është një stadium i ri, unë kam pasur shansin të luaj aty. Është vërtet i këndshëm, modern, me një pistë atletike dhe në tribuna mund të qëndrojnë deri në 15 mijë fansa, dhe mund t’iu them se ata krijojnë një atmosferë vërtet të mirë. Gjithsesi skuadra jonë është mësuar të luajë edhe para një turme shumë më të madhe dhe besoj se tifozët nuk do të jenë një problem. Shpresoj që të fitojmë“.
KOHA JONË SONDAZH

